E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN-ja: Edhe Shqipëria rrezikon krizën ekonomike

05/03/2009  Kërkohet kujdes nga bankat që kanë kapital të huaj

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka renditur Shqipërinë si një nga 26 vendet në zhvillim që janë më të rrezikuarat nga kriza globale dhe që do të kenë tkurrjen më të madhe të rritjes ekonomike krahasuar me parashikimet e mëparshme. Në një raport të publikuar vetëm dy ditë më parë, FMN-ja thotë se vendet me të ardhura të ulëta i shpëtuan fazave të hershme të krizës globale, por tani janë duke u goditur fort prej saj. Problemi kryesor, sipas FMN-së, mbetet ai i financimeve.

Për Shqipërinë raporti vlerëson se investimet e huaja direkte do të bien në vitin 2009 në 4.6 për qind të produktit të brendshëm bruto nga 4.9 që ishin më 2008-n. Veç kësaj fluksi i të ardhurave nga jashtë, sipas raportit, do të tkurret edhe për shkak të rënies së dërgesave.

FMN-ja vlerëson se për këtë vit të ardhurat që emigrantët shqiptarë do të dërgojnë në Shqipëri do të bien me 2 për qind në raport me produktin e brendshëm bruto, ose e thënë ndryshe, do të jenë 21 për qind më pak sesa ishin në vitin 2008. Ndihma ekonomike që Shqipëria merr nga jashtë do të ulet nga 2.7 për qind e GDP-së më 2008-n në 2.2 për qind në vitin 2009. Burimi i fundit i financimeve nga jashtë janë eksportet.

FMN-ja vlerëson se eksportet e vendeve në zhvillim do të pësojnë një rënie të ndjeshme, për shkak se bazohen kryesisht te lëndët e para, tregtia e të cilave gati është pezulluar.

Por FMN-ja thotë se edhe tregjet e brendshme financiare të vendeve të varfra po shfaqin shenja ngërçi, të cilat pikësëpari po reflektohen me një rritje të ndjeshme të kostos së kredive dhe tkurrje të kredisë për sektorin privat.

Megjithatë, një rrezik mjaft i madh për Shqipërinë mbetet ai i transferimit të fondeve nga bankat te mëmat e tyre jashtë. “Duke pasur parasysh se bankat në vendet në zhvillim zotërohen kryesisht nga banka të huaja, ato mund të përballen me fenomenin e transferimit të fondeve te bankat mëmë”, - thotë raporti. Shqipëria është vendi i tretë nga ekonomitë në zhvillim për nga kapitali i huaj në sektorin bankar.

Mbi 87 për qind e sektorit bankar në vend zotërohet nga të huajt. Vendet në zhvillim po etiketohen tani si epiqendra e re e krizës globale, çka po shqetëson ndërkombëtarët. Menjëherë pas publikimit të këtij raporti drejtori i FMN-së Straus Kahn kërkoi ndërhyrje urgjente, që sipas tij do të parandalonte një krizë humanitare.

Marr nga “Top Channel”

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›