E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehtësi për kontratat ekonomike me BE-në

05/03/2009  Komisioni i Ekonomisë

Deputetët e Komisionit të Ekonomisë miratuan projektligjin për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Kombeve të Bashkuara, “Për kontratat për shitjen ndërkombëtare të mallrave”. Ministria e Drejtësisë ka përgatitur projektligjin, i cili është i një rëndësie të madhe për komunitetin e biznesit dhe ekonominë. Ekspertët sqaruan se ky hap erdhi për faktin se një numër i madh biznesesh në vend ushtrojnë aktivitetin e tyre me partnerë të huaj dhe me vende të tjera. Ajo kontribuon në heqjen e barrierave ligjore në tregtinë ndërkombëtare, duke nxitur zhvillimin e saj. Tashmë, Shqipëria do të vendoset përkrah vendeve të BE-së, si dhe vendeve të OKB-së që janë palë dhe zbatojnë dispozitat e kësaj konvente. Sipas tyre, aderimi në këtë konventë do të krijonte një instrument të njësuar juridik, që operatorët e ndryshëm ekonomik, vendas dhe të huaj do të kishin në dispozicion për lidhjen e kontratave, duke krijuar një qartësi dhe siguri juridike më të madhe, si dhe evituar kompleksitetin dhe larminë e madhe që kontratat e shitjes kanë në shtete të ndryshme. Konventa është hartuar nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën Ndërkombëtare Tregtare dhe është adoptuar nga Asambleja e Përgjithshme e saj në prill të vitit 1980. Ajo ka hyrë në fuqi më 1 janar 1988, dhe deri sot janë 71 shtete që janë bërë palë të kësaj konvente.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›