E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN-ja kërkon koordinim mes qeverive

18/02/2009  Kriza botërore

Më shumë bashkëpunim nevojitet mes qeverive të vendeve që janë në krizë, për të kaluar këtë situatë të vështirë. Duke u bërë thirrje drejtuesve të shteteve, kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Domenique Strauss Kan, theksoi se duhet që ata të mos mendojnë vetëm për ekonomitë e vendeve të tyre. Nëse do të ketë një koordinim të punëve e gjithë bota do të dalë nga kriza në vitin 2010. Kreu i FMN-së, i cilësoi hapat e marra deri më tani jo të suksesshme ndaj nevojitet më shumë koordinim për të kaluar krizën. Ai shtoi se të gjitha vendet po shpenzojnë para në kuadrin kombëtar, por duhet të shohin edhe më tej. Shumë vende, në rajon si për shembull Serbia apo Hungaria, janë kthyer për ndihmë institucionit financiar si një masë parandaluese në rast se kriza përkeqësohet. Deklarata është bërë pas kthimit nga takimi i G7-s. Ndërsa në Shqipëri marrëdhëniet e reja të Fondit janë të kufizuara tani në këshillime. E rëndësishme, sipas FMN-së, është që Qeveria shqiptare të veprojë ashtu siç ka vepruar deri tani për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar. Kjo nuk është një krizë globale që mund të zgjidhet në Shqipëri, por Shqipëria mund të bëjë më të mirën për të mbajtur stabilitetin. Nga ana tjetër edhe Organizata Botërore e Tregtisë njoftoi se në shumë vende të botës kërkesa për financimit e tregtisë është rritur për shkak të mungesës së likuiditetit si dhe për shkak të nevojës në rritje për forma të tjera të kreditimit nga banka. Ky hendek mes kërkesës dhe ofertës mund të prekë edhe shkëmbimet tregtare njoftoi OBT-ja. OBT-ja tha se bankat dhe qeveritë në të gjithë botën duhet të gjejnë mënyra për të garantuar një mbështetje të mjaftueshme për tregtarët që janë të detyruar të mbulojnë një risk kaq të zakonshëm si falimentimi i partnerëve, të porosive të dëmtuara ose të vonuara, problemet e transportit dhe ndikimet e lëvizjeve të menjëhershme të kursit të këmbimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›