E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji për KLD-në, rekomandimet e EURALIUS-it dhe nenet ku do të ndërhyjë Ministria e Drejtësisë



Laureta Rryçi

Tiranë - Hartimi i një ligji të ri për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka nisur të japë shkëndijat e para të përplasjes që pritet të sjellë ky draft. Vetëm pak ditë më parë EURALIUS-i ka zhvilluar një tryezë pune pikërisht për këtë draft, për të mësuar jo vetëm mendimet e gjyqtarëve, që janë palë e interesit, por edhe qëllimet e Ministrisë së Drejtësisë. Pjesëmarrës të këtij takimi zbuluan për gazetën “Albania” disa nga pikat për të cilat është debatuar më fort dhe që quhen ndryshe si pika të nxehta të projektligjit. Të njëjtat burime sqaruan se përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, zëvendësministri Viktor Gumi, ka qenë më i rezervuar në lidhje me projektligjin duke mos dhënë shumë detaje për të pranishmit. Sipas tij, ky draft ishte ende në fazat e para të hartimit dhe për momentin po realizoheshin takime me palët e interesit për t’u njohur me sugjerimet e tyre.
Takimi
Misioni europian i asistencës për sistemin shqiptar të Drejtësisë, ose siç njihet ndryshe me emrin EURALIUS, kishte përcaktuar si prioritetet e punës gjatë këtij viti edhe monitorimin për projektligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Vetëm pak ditë më parë, po me iniciativën e EURALIUS-it, mësohet se është organizuar një seminar mbi ndryshimet e mundshme që pritet të bëhen nga Ministria e Drejtësisë dhe përmirësimet e mëtejshme të këtij ligji kaq të rëndësishëm. Në takim, përveç përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Ministrisë, kanë qenë edhe gjyqtarë nga gjykata të ndryshme. Burimet pohuan se ka pasur debate për disa nene që mendohet se do të ndryshohen në projektligjin e ri.
Propozimet
Edhe pse për momentin nuk ekziston një draft i versionit përfundimtar, nuk mungojnë informacionet mbi nenet ku mendohet se do të ndërhyhet nga Ministria e Drejtësisë. Sipas përfaqësuesve të EURALIUS-it, në projektligj duhet të përfshihen ndryshime kompetencash. Kryesisht ata që duhet të preken, sipas tyre, janë kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nënkryetari dhe anëtarët që zgjidhen me votat e Kuvendit. Mirëpo pika më e fortë e propozuar nga të huajt ka qenë ajo e shtimit të një posti të ri në funksionin e KLD-së. Sipas përfaqësuesve të EURALIUS-it, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë duhet të ketë edhe një post, si ai i sekretarit të Përgjithshëm. Ky i fundit duhet të merret me të gjitha kompetencat administrative që ka aktualisht numri dy i KLD-së. Më i rezervuar mësohet se ka qenë zëvendësministri i Drejtësisë, Viktor Gumi. Ai ka zbuluar vetëm pak detaje mbi projektligjin e ri, duke e argumentuar këtë sjellje me faktin se drafti është në fazat e para të hartimit. Sipas tij, është menduar që ndryshimet duhet të ketë neni që përcakton kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të KLD-së, si dhe një tjetër kishte të bënte me garancinë e jetës që duhet të kenë anëtarët e KLD-së. Ndërkohë që zyrtarisht Ministria e Drejtësisë ka bërë publike në planin për hartimin e projektligjeve përgjatë vitit 2009 se: “qëllimi i hartimit të këtij projektligji synon në harmonizimin e kuadrit ligjor në sistemin gjyqësor duke implementuar raportin TWINING. Gjithashtu, ky projektligj synon të përcaktojë qartësisht dhe saktësisht kompetencat e Inspektoratit të KLD-së”.

EURALIUS

1. Presidentit t’i hiqet e drejta për të përcaktuar mbledhjet dhe rendin e ditës.

2. Nënkryetari i KLD-së të ketë kompetencë për të përcaktuar datën e mbledhjeve dhe rendin e ditës.

3. Nënkryetarit të KLD-së t’i hiqen të gjitha kompetencat administrative.

4. Në funksionimin e KLD-së të shtohet një post i ri, ai i sekretarit të Përgjithshëm.

5. Kompetencat administrative të nënkryetarit të KLD-së t’i kalojnë sekretarit të Përgjithshëm.

6. Anëtarët e KLD-së, të zgjedhur me votat e Kuvendit, të jenë part–time pranë Këshillit.

Ministria e Drejtësisë

1. Duhet të ndryshohen kriteret për anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

2. Duhet të përcaktohen më qartësisht kompetencat e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

3. Duhet të rritet garancia e jetës për të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Disa nga nenet, të cilat pretendohet se do të pësojnë ndryshime

Neni 4
Kushtet për t'u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
1. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, duhet të jenë gjyqtarë prej jo më pak se 10 vjetësh.
2. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që zgjidhen nga Kuvendi, duhet të jenë juristë, jo gjyqtarë, me një përvojë jo më pak se 15 vjet në profesion.
Neni 11
Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
1. Presidenti i Republikës është Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
2. Kryetari thërret dhe drejton mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe kujdeset për zbatimin e ligjit gjatë zhvillimit të mbledhjeve dhe për marrjen e vendimeve.
Neni 12
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
1. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të presidentit, zgjedh nga radhët e tij një zëvendëskryetar.
2. Zëvendëskryetari organizon veprimtarinë e përditshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
3. Në rastin kur është zgjedhur nga radhët e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që janë gjyqtarë, zëvendëskryetari, për kohën që shërben në këtë detyrë, nuk e ushtron funksionin e gjyqtarit.
4. Në rastin e dorëheqjes ose të mbarimit të mandatit, zëvendëskryetari rifillon ushtrimin e funksionit të gjyqtarit në gjykatën ku ka qenë i emëruar ose, me pëlqimin e tij, në një gjykatë tjetër.
Neni 13
Detyrat dhe statusi i zëvendëskryetarit
1. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është funksionar me kohë të plotë.
2. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ushtron këto detyra:
a) kujdeset për veprimtarinë normale të Këshillit të Lartë të Drejtësisë;
b) organizon dhe drejton veprimtarinë e Inspektoratit dhe të administratës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë;
c) ndjek veprimet e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për verifikimin e ankesave dhe të të dhënave për gjyqtarët dhe për zbatimin e detyrave të ngarkuara nga Këshilli, në rastet e procedimeve disiplinore të filluara nga Ministri i Drejtësisë;
ç) organizon punën përgatitore për rendin e ditës dhe për zhvillimin normal të mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
3. Zëvendëskryetari, në rast mungese ose pengese dhe me autorizim të tij, zëvendëson Kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në ushtrimin e funksioneve të përcaktuara në pikën 2 të Nenit 11 të këtij ligji.
4. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë barazohet në pagë me gjyqtarin e Gjykatës së Lartë.
Neni 14
Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
1. Inspektorati pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë përbëhet nga kryeinspektori dhe inspektorët. Rregullat e organizimit dhe të funksionimit dhe numri i inspektorëve përcaktohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
2. Kryeinspektori dhe inspektorët emërohen dhe shkarkohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozimin e zëvendëskryetarit.
3. Kandidaturat e inspektorëve përzgjidhen, pas shpalljes publike, ndërmjet gjyqtarëve që përmbushin kushtet për t'u emëruar gjyqtarë në gjykatat e apelit dhe, në mungesë të tyre, ndërmjet juristëve që kanë shërbyer si gjyqtarë jo më pak se 5 vjet.
4. Veprimtaria e Inspektoratit drejtohet nga zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
5. Kryeinspektori organizon dhe përgjigjet për veprimtarinë e përditshme të Inspektoratit.

Plani i Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2009

Drejtoria e Hartimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë e ka paraqitur prej kohësh planin për vitin 2009 në zyrën e ministrit Alibeaj. Ndër projektligjet e shumta që priten të hartohen gjatë këtij viti janë shënuar si institucione në të cilat duhet të ndërhyhet edhe Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Madje, me një projektligj më vete për funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucionin për të cilin ka pasur herë pas here debate. Për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” është përcaktuar të përfundojë në muajin dhjetor të po këtij viti. Sipas specialistëve, projektligji do të shërbejë për përmirësimin e ligjit ekzistues për ta përputhur me zhvillimet e sjella me ligjet e draftuara deri tani në ligjet për operatorët e sistemit të drejtësisë. Po kështu i njëjti afat është vendosur edhe për projektligjin “Për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Edhe në këtë rast për specialistët ky projektligj do të ketë të njëjtin efekt pra për të shërbyer për përmirësimin e ligjit ekzistues për ta përputhur me zhvillimet e sjella me ligjet e draftuara deri tani në ligjet për operatorët e sistemit të Drejtësisë.

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›