E Diel, 1 Nëntor 2026

Karteli diplomatik, Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme, shumica të zgjedhur në kundërshtim me ligjin



Habjon Hasani

Tiranë - Shërbimi Diplomatik Shqiptar prej tre vitesh është bërë epiqendër skandalesh, të cilat kulmuan së fundi me arrestimin e sekretarit të Ambasadës Shqiptare në Maqedoni, me 65 kilogramë heroinë në Turqi. Por duket se degradimi në “kartel” i Shërimit Diplomatik nuk është një fenomen që erdhi nga “hiçi”, pasi që prej vitit 2005 radhët e funksionarëve të ambasadave janë mbushur me zyrtarë të rinj, që ndodhen në ato funksione në kundërshtim me ligjin. Rasti i të ndjerit Bujar Muharremi (skandali i shpikur i abuzimeve me benzinën), rasti i skandaleve në Ambasadën Shqiptare në Suedi, shoferi i Ambasadës tonë në Itali i kapur me kokainë, si dhe rasti i fundit, duket se janë tregues konkretë të një “derexheje” diplomatike që po dëmton imazhin e vendit tonë.
Raporti i Kontrollit të Lartë të shtetit në Ministrinë e Jashtme premton surpriza, por zyrtarët e MPJ-së janë kujdesur shumë që ky raport të ngelet vetëm në sirtarët shtetërorë. Tashmë duket se të gjithë zyrtarët e emëruar në kundërshtim me ligjin dhe trajektoren zyrtare të karrierës diplomatike po i dhurojnë Ministrisë së Jashtme “surpriza” të pakëndshme, madje në rastin e fundit surpriza kundërmonte “aromë karteli”.
Pikëpyetjet
Trupi Diplomatik Shqiptar është përfshirë në një superskandal të trafikut të drogës, ndërsa sekretari i dytë i Ambasadës tonë në Maqedoni, Agim Haxhiu, u kap me 65 kilogramë drogë në Turqi. Duket se ky lajm i ardhur me 5 ditë vonesë (arrestimi u bë më 2 maj) e implikon në mënyrë të drejtpërdrejtë Ambasadën tonë në Maqedoni, pasi Haxhiu është kapur me makinën e Ambasadës dhe ky fakt minimalisht duhet të ndezë një hetim edhe për pjesëtarë të tjerë të Trupit tonë Diplomatik në Maqedoni. Kjo pasi është me ligj i ndaluar autorizimi i dhënies së automjetit për punë personale dhe nëse Haxhiu ka shkuar në Turqi, ai patjetër ka marrë dritën jeshile duke pasur një justifikim zyrtar. Cili ka qenë justifikimi?
Fillimisht u tha se Ambasada Shqiptare në Turqi nuk kishte dijeni, por duket se një gjë e tillë nuk ka qenë e vërtetë. Të paktën ambasadori shqiptar në Maqedoni (eprori i Haxhiut) deklaroi dje se ai vetë ishte në dijeni që prej katër ditësh, ndërsa nuk kuptohet se përse Ministria e Jashtme vendosi të marrë masa vetëm pas publikimit të lajmit.
Qëndrimi
“Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se Agim Haxhiu, ish-sekretar i dytë pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, me motivin për braktisje të pajustifikueshme të detyrës që nga data 1 maj deri më datë 6 maj 2009, është liruar nga detyra me urdhër të ministrit të Punëve të Jashtme. Ky vendim si dhe heqja e çdo privilegji dhe imuniteti diplomatik i është bërë e ditur zyrtarisht edhe palës maqedonase, si vend ku ishte i akredituar Haxhiu”, - thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme, lëshuar dy ditë më parë. Sasia prej 65 kg heroinë ka qenë për shitje, vlera e së cilës mund të kapte shifrën 650 mijë dollarë. Haxhiut iu vunë prangat me akuzën e veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Hetimet janë zgjeruar, pasi Haxhiu, i cili lëvizte lirisht me statusin e sekretarit të Ambasadës mes Shqipërisë, Maqedonisë e Turqisë, mund të jetë pjesë e një grupi të mirorganizuar që trafikon lëndë narkotike në rajon. Ambasada Shqiptare në Turqi shprehej dje se nuk kishte dijeni për lajmin. Kjo nuk është hera e parë që një punonjës i ambasadës shqiptare kapet me pluhurin e bardhë duke u “fshehur” pas targave diplomatike.

Kriteret për hierarkinë e zyrtarëve në ambasada

Marrja e gradave “Atashe” dhe “Sekretar i parë” bëhet me konkurs, kurse e gradave të tjera bëhet sipas sistemit të karrierës.
Stazhi minimal për kalimin nga një gradë në një tjetër më të lartë është:
nga atashe në sekretar të tretë - 2 vjet;
nga sekretar i tretë në sekretar të dytë - 3 vjet;
nga sekretar i dytë në sekretar të parë -3 vjet;
nga sekretar i parë në këshilltar - 4 vjet.

Që nëpunësi të marrë një gradë më të lartë nuk mjafton të ketë plotësuar kushtet për stazhin minimal, aftësitë profesionale dhe rezultatet në punë, por duhet që edhe në strukturat e shërbimit të jashtëm të jetë një vend vakant që i përgjigjet gradës në fjalë.

Balla: “Rekrutimet e jashtëligjshme çojnë në trafik droge”

Për deputetin socialist, Taulant Balla, rasti i bërë publik, ku sekretari i dytë i Ambasadës sonë në Shkup, Agim Haxhiu, i arrestuar nga Policia turke për posedim dhe transport të 65 kg heroinë është konfirmimi i shqetësimit të vazhdueshëm se rekrutimet e reja në stafet diplomatike dhe konsullore të militantëve apo të individëve me precedentë penalë, në kundërshtim me vlerat dhe karrierën diplomatike, po dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë dhe të diplomacisë shqiptare. ”Përfshirja në trafik ndërkombëtar droge e sekretarit të Ambasadës sonë në Shkup, Agim Haxhiu, pason rastin e shoferit të ambasadorit tonë në Romë, Arsen Selmanllari, të arrestuar nga Policia italiane 9 muaj më parë për transport kokaine, pason rastet e shumta të denoncuara publikisht për korrupsion, falsifikime, shpërdorim detyre në njësitë tona konsullore”, - deklaroi me tej Balla. Sipas tij, është e turpshme, por sakaq përfshirje e drejtpërdrejtë në përgjegjësi administrative dhe penale direkte e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, personit përgjegjës që ka sponsorizuar dhe ngritur këtë rrjet kriminal me imunitet diplomatik.

Braçe: “Droga e kapur i ka pronarët në Tiranë”

Ashpër ka reaguar deputeti i PS-së, Erion Braçe, i cili ka deklaruar se droga e kapur në Turqi i ka pronarët e vërtetë në Tiranë, në funksione të larta shtetërore. Sipas Braçes, Ministria e Jashtme është kthyer në një “lavatriçe” të pastrimit të parave dhe trafikimit. “Mjafton t’ju them se në harkun e 6 muajve kjo ministri është përfshirë në një xhiro trafikimi droge me vlerë 1 milionë euro. Kanë mbetur ende pa përgjigje dhe nuk po bëhet transparente çështja e përdorimit të llogarive bankare të qeverisë së Republikës së Shqipërisë nga diplomatë apo persona që disponojnë pasaportë diplomatike në emër të MPJ-së së Shqipërisë, i pagesave dhe depozitave me vlerë 50 milionë euro, publikuar edhe në shtypin e ditës. Pikërisht për këtë arsye, kjo ministri sot nuk përfaqëson më flamurin e Shqipërisë, kjo ministri nuk përfaqëson më shqiptarët e ndershëm kudo ku ata ndodhen, që kanë ndërtuar një jetë të mirë, me punën e djersën e tyre”, - ka deklaruar Braçe. Sipas tij, ata të rekrutuar politikisht që punojnë në këtë ministri, po prishin e po shkatërrojnë imazhin e mirë të mijëra diplomatëve shqiptarë, profesionistë të zotë, që me karrierën e tyre i bëjnë nder jo vetëm kësaj ministrie, por i bëjnë nder çdo shqiptari që përfaqësojnë në vendet ku ata shërbejnë.

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›