FMN kërkon sërish rritje çmimi për energjinë
"Humbjet e mëdha dhe arkëtimet e pakta po sjellin një tronditje fiskale"
"Rritja e çmimit të energjisë nuk zgjidh humbjet-fiskale që vijnë nga Korporata Eletroenergjitike"
Kriza financiare e KESH rrezikon financat publike dhe rritja e çmimit të energjisë nuk sjell e vetme zgjidhjen e kësaj situate. Deklarata ka ardhur nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë miratimit të Marrëveshjes së Fondit të Përgjithshëm (EFF). "Një reformë e qëndrueshme e sektorit të energjisë elektrike është një prioritet, pasi do të ndihmojë në zbutjen e rreziqeve ndaj kuadrit makroekonomik dhe do të kufizonte humbjet gati-fiskale që kanë vazhduar të jenë të ndjeshme edhe gjatë vitit 2007. Arkëtimet duhet të përmirësohen, humbjet në rrjet duhet të pakësohen dhe tarifat të rriten. Rritja e tarifave në mars ishte një element fillestar i rëndësishëm, por përpjekje të tjera janë të nevojshme për të frenuar humbjet gati-fiskale të sektorit, si dhe për të përmirësuar shanset për një privatizim të suksesshëm të kompanisë së Shpërndarjes, që synohet për 2008, si dhe për të siguruar furnizim të sigurt me energji në afatin e mesëm",- tha Portugal. Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi më datë 28 mars 2008 rishikimin e katërt të performancës ekonomike dhe garancive financiare të Shqipërisë, në kuadrin e Marrëveshjes trevjeçare Fondi i Reduktimit të Varfërisë dhe Rritjes Ekonomike (PRGF) dhe Marrëveshjes së Fondit të Përgjithshëm (EFF). Përfundimi i rishikimit mundëson lëvrimin e shumës së barasvlefshme me 2.4 milionë SDR (afërsisht 4 milionë dollarë), çka e çon totalin e lëvrimeve për Shqipërinë në kuadrin e të dy marrëveshjeve (PRGF dhe EFF) në 12.2 milionë SDR (afërsisht 19.9 milionë dollarë). Marrëveshjet aktuale, PRGF dhe EFF, në shumën totale prej 17 milionë SDR (rreth 27.9 milionë dollarë) janë miratuar në 1 shkurt të vitit 2006.
***
FMN ka vlerësuar si të qëndrueshme situatën makroekonomike në vend, pavarësisht rritjes së çmimeve të energjisë dhe të produkteve ushqimore. "Përmbushja nga ana e Shqipërisë e politikave të matura makroekonomike dhe strukturore ka ndikuar ndjeshëm në ecurinë e fortë makroekonomike, pavarësisht sfidave të një mjedisi të jashtëm të vështirë. Në 2007, rritja ekonomike u përmirësua dhe inflacioni mbeti në intervalin e synuar, me gjithë thatësirën dhe çmimet në rritje për produktet ushqimore dhe energjinë. Axhenda strukturore ka bërë përparime, sidomos në fushën fiskale, ndërsa programi i privatizimit është në prag të përfundimit. Megjithatë, probleme të thella në Sektorin e Energjisë dolën përsëri në krye. Kuadri fiskal afatmesëm i autoriteteve i balancon në mënyrën e duhur nevojat për shpenzime shtesë për infrastrukturë dhe zhvillim me shqetësimet për stabilitet makroekonomik, duke synuar njëkohësisht të zvogëlojë rolin e qeverisë dhe të krijojë një mjedis nxitës për aktivitetin e sektorit privat. Autoritetet kanë ndërmend të miratojnë një tavan për deficitin jo më të lartë se 4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2009 dhe vitet në vazhdim. Kjo duhet të sigurojë një garanci të besueshme për politikën fiskale në afatin e mesëm dhe të japë siguri shtesë se trajektorja në rënie e borxhit publik do të ruhet, si dhe të japë një mbështetje të mirëpritur për politikën monetare në mbajtjen të ankoruara të pritshmërive për inflacionin", bën të ditur FMN. Fondi ka vlerësuar edhe politikat monetare të ndjekura nga ana e BSH-së, të bazuar në një bankë qendrore të pavarur, me një kurs këmbimi të luhatshëm lirisht.