E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobat, tatimorët shtojnë kompetencat

 

Kuvendi kalon pa ndryshim draftin, biznesi kundër gjobave parapagim tek Tatimet

 

Biznesi ka kundërshtuar projektligjin për procedurat tatimore të përgatitura nga ana e qeverisë dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Kundërshtimi nga ana e grupeve të biznesit vjen pasi projektligji jo vetëm që nuk merr parasysh asnjë nga kërkesat e bëra nga sipërmarrja, por, nga ana tjetër, shton masat represive. Sipas përfaqësuesve të biznesit, projekti vjen në një kohë që, nga ana tjetër, e drejta e ankimit në gjykatë për bizneset është kufizuar praktikisht nga Ligji i Gjobave. Ky ligj shkatërrues lejon që një biznes të shkojë para drejtësisë vetëm pasi të paguhet detyrimi i pretenduar dhe i paprovuar ligjërisht nga institucioni i fiskut, plus 15% të gjobës. Në këto kushte, biznesi, edhe sipas projektit të qeverisë, praktikisht mund të apelojë vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, një institucion me konflikt të qartë interesi dhe që merr plotësisht në praktikë të drejtat e gjykatës (neni 106). Askush nuk jep zgjidhje se çfarë ndodh nëse biznesi i gjobitur pa të drejtë nuk do të ketë mundësi financiare të paguajë detyrimin e supozuar të institucionit të Tatimeve, për të marrë të drejtën e ankimit në gjykatë. Në një rast të tillë, biznesi i nënshtrohet sekuestrimit dhe mbylljes dhe askush nuk është në gjendje të provojë me paanësi nëse pretendimi i institucioneve të fiskut ka qenë i drejtë. Sipas përfaqësuesve të sipërmarrjes, një biznes i gjobitur nuk mund të kundërshtojë tatimet për një gjobë që këta të fundit kanë vënë mbi një biznes, duke mos lënë mënjanë faktin se bizneset kontrollohen një herë në 5 vjet, dhe gjobat që organet tatimore vendosin mbi këto të fundit, kap vlera që lirisht falimentojnë çdo veprimtari fitimprurëse. Ligji i gjobave, i cili detyron çdo biznes të paguajë gjobë + interes, ende nuk ka plotësuar një pikë të rëndësishme, atë të krijimit të Gjykatës Administrative, e cila supozohet të marrë në shqyrtim të gjitha çështjet. Kështu, sipas bizneseve, të cilët për të disatën herë kanë kërkuar shfuqizimin e këtij ligji, tatimet do të vazhdojnë të vënë gjoba e të shqyrtojnë ato ankesa të cilat janë kompetencë e gjykatës, duke realizuar në mënyrë të tille mbushjen e asaj grope financiare që kanë krijuar në buxhetin e shtetit. Drafti është kundërshtuar edhe nga deputetët e opozitës. "Ligji shton masat represive ndaj biznesit dhe ne do të paraqesim një draft tonin, ku paraqiten edhe ndryshimet e nevojshme, për ta bërë këtë ligj të zbatueshëm",- tha deputeti Arben Malaj.

***

Përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme në Komisionin e Ekonomisë se, "ndër problemet më të rëndësishme konceptuale që evidentohet në projektligjin e paraqitur është ai që ka të bëjë me nenin 68 të tij, "Vlerësimi Tatimor". Është shumë e qartë se mënyra se si është shkruar pika 4 dhe 5 e këtij neni, cenon në mënyrë të hapur parimin bazë të administrimit bashkëkohor tatimor, atë të vetëvlerësimit dhe vetëvlerësimit të detyrimit tatimor. Në bazë të këtij parimi, çdo tatimpagues është i detyruar të vetëvlerësojë dhe të vetëdeklarojë në mënyrë të sinqertë detyrimin e tij tatimor, mbështetur në regjistrimet e mbajtura nga ana e tij. Ky parim është i shprehur shumë qartë edhe në ligjet tatimore në fuqi. Në bazë të këtij parimi, deklarimi i tatimpaguesit konsiderohet kurdoherë i sinqertë, sa kohë që nëpërmjet një kontrolli tatimor nuk është vërtetuar e kundërta". Sipas përfaqësuesve të sipërmarrjes, formulimi i këtij neni bën që administratës tatimore t'i lindë kurdoherë e drejta të rivlerësojë një deklaratë tatimore kur ajo konstaton apo dyshon se vetëvlerësimi është i pasaktë. "Për mendimin tonë, është tepër e rëndësishme të kuptohet qartë se një deklaratë tatimore e tatimpaguesit mund të rivlerësohet përveçse në rastin e përfundimit të një kontrollit tatimor në vend, apo në rastin e kërkesës së vetë tatimpaguesit. Për këtë arsye mendojmë se në pikën 4 të këtij neni duhet saktësuar në mënyrë shumë të qartë se, një deklarate tatimore mund të rivlerësohet vetëm në përfundim të një kontrolli tatimor në vend dhe në asnjë rast tjetër. Për mendimin tonë, formulimi i saktë do të ishte: Nëse, në përfundim të një kontrolli tatimor në vend, administrata tatimore vëren se detyrimi tatimor i deklaruar në deklaratën tatimore, është i pasaktë ose tatimpaguesi nuk ka dorëzuar dhe nuk ka paguar detyrimin tatimor, ajo ka të drejtë të bëjë vlerësim tatimor",- tha Xhavit Curri, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Shoqatës së Ndërtuesve.

 

Përfaqësuesi i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se "ky projektligj, nga njëra anë rrit jashtëzakonisht shumë të drejtat e institucioneve të fiskut në raport me biznesin, deri në marrjen në kundërshtim me çdo përvojë të vendeve demokratike të atributeve të plota të gjyqësorit, si: bllokimin e llogarive bankare (neni 90); bllokimin e pasurive (neni 91); sekuestrimin e pasurisë (nenet 93, 94, 95) për të arritur deri në shitjen e pasurisë së tatimpaguesve (neni 96) dhe kalimin e detyrimeve për llogari personale të aksionerëve dhe administratorëve (neni 99). Gjithashtu, institucionit të fiskut i jepet e drejta e përdorimit të metodave alternative për llogaritjen e detyrimit tatimor, duke e lënë përcaktimin e rasteve se kur duhet përdorur krejt -subjektive dhe të pakufizuar në numër (neni 71, neni 72) me mundësi të mëdha për subjektivizëm dhe korrupsion për t'i përdorur si bazë ligjore për gjobitjen e bizneseve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›