NATO, fatura 200 milionë euro
Shpenzimet për mbrojtjen
*Gjatë vitit 2008, Shqipëria do të shpenzojë për mbrojtjen 21.6 miliardë lekë ose 176 milionë euro.*Rreth 73% e fondit do të shpenzohet për paga, ushqime e të tjera shpenzime operative. Pjesa që mbetet, rreth 47 milionë euro duhet të shpenzohet për investime afatgjata.Shpenzimet për mbrojtjen janë totalisht 2% e GDP-së që nga ky vit, por perspektiva është që shpenzimet të mos arrijnë të realizohen tërësisht.Kroacia shpenzon 2.39% të GDP-së, kryesisht për shkak se mban një numër të fryrë forcash ushtarake, si pasojë e pamundësisë për të nxjerrë me reformë një pjesë të veteranëve të luftës me serbët.
Në vitin 2006, qeveria shqiptare vendosi papritur të shpenzojë 2% të PBB-së për mbrojtjen. Në këtë mënyrë, shpresohej që anëtarësimi në NATO të lehtësohej. Programi i mëparshëm qe që shpenzimet e mbrojtjes të rriteshin gradualisht dhe niveli prej 2% të PBB-së të arrihej në vitin 2010. Por në Shqipëri ndodh zakonisht që paratë jepen, por nuk shpenzohen. Viti 2006 u mbyll me shpenzime të mbrojtjes prej 13.8 miliardë lekësh, ose 1.5% e PBB-së. Në vitin e kaluar, shpenzimet ngecën në 1.8% të PBB-së. Shumica dërrmuese e parave shkuan për shpenzime operative. Investimet mbetën zëri më i prekur nga mosrealizimet.
Deri në vitin 2010 shpenzimet për mbrojtjen duhet të arrijnë në 26.4 miliardë lekë, ose 212 milionë euro. Afro një e katërta e këtyre fondeve duhet të përdoren për investime.Avionë çekë, anije holandeze dhe helikopterë gjermanë
Pas marrjes së ftesës për anëtarësim, gjë që mund të ndodhë këtë fundjavë, ushtria shqiptare do të vijojë reformimin për zvogëlimin e numrit të ushtarakëve, si dhe për t'u përgatitur për të pasur trupa dhe mjete transporti për t'i zhvendosur këto trupa.
Pasi hoqi dorë nga tanket, aeroplanët "MIG" dhe nëndetëset ofensive, qeveria shqiptare i është drejtuar Çekisë për aeroplanë, Holandës për anije si dhe ka marrë helikopterë gjermanë, dhuratë për transportin e trupave tokësore. Secila prej këtyre marrëveshjeve, përfshirë edhe helikopterët dhuratë, kushtojnë miliona euro. Pasi hoqi dorë nga përdorimi i aeroplanëve "MIG", Ministria e Mbrojtjes nënshkroi një marrëveshje me Republikën Çeke për trajnimin e pilotëve shqiptarë me aeroplanët luftarakë të markës "L 159 A". Blerja e aeroplanëve të tillë aktualisht është përtej mundësive financiare të Shqipërisë, por një zyrtar i Ministrisë Çeke të Mbrojtjes deklaroi në atë kohë se, Shqipëria mund të marrë me qera aeroplanë të tillë, ndërkohë që pret që ekonomia e vet të rritet aq sa për të përballuar blerjen.
Forcat Ajrore do të përbëhen nga helikopterë të markës "BO 105" M VBH, prodhim gjerman, dhuruar nga qeveria gjermane tre vite më parë. Vetëm riparimi i tyre kushtoi rreth 10 milionë euro, në atë kohë, sa gjysma e investimeve totale të mbrojtjes. Anëtarësimi në NATO nënkupton që mbrojtjen ajrore të Shqipërisë ta mbulojë një vend tjetër anëtar. Edhe disa vende të tjera të NATO-s përdorin forcat e vendeve të mëdha për të patrulluar ajrin, në pamundësi për të mbajtur forca ajrore. Projekti më i shtrenjtë i mbrojtjes shqiptare duket se është blerja e katër anijeve të reja holandeze, me vlerë të përbashkët prej 31 milionë euro. Nga këto, 11 milionë euro do të dhurohen nga Qeveria Holandeze. Anijet do të përdoren për patrullimin e bregdetit. NATO ka aktualisht një operacion për patrullimin e të gjithë Mesdheut, në kuadër të luftës kundër terrorizmit.
Bilanc i shkurtër i vendeve kandidate
Kroacia synon të investojë 2 miliardë euro. Maqedonia dëshiron të heqë dorë nga Kallashnikovi
"Reuters" - Kandidatët për anëtarësim, Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria kanë zvogëluar Forcat e tyre të Armatosura, të trashëguara nga koha e Luftës së Ftohtë, për t'i ofruar aleatëve perëndimorë ushtri më të përdorshme për qëllime strategjike.
Kroacia dhe Maqedonia, dy republika ish-Jugosllave, zotërojnë edhe trashëgiminë e asnjanësisë mes Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik gjatë luftës së NATO-s. Të dyja vendet zotërojnë stoqe armësh të dizenjuara në Bashkimin Sovjetik. Shqipëria ka grumbulluar sasi të mëdha armatimesh të marra nga Moska dhe Pekini në vitet '50 dhe '60.
Kroacia hoqi Ligjin e Shërbimit Ushtarak të Detyrueshëm nga 1 Janari dhe ka në plan të zvogëlojë më tej ushtrinë e vet. Në të ardhmen, do të ketë vetëm 16 mijë ushtarë profesionistë. Ajo bleu mjete të blinduara të markës "Patria" nga Finlanda vitin e kaluar dhe ka në plan të blejë një duzinë aeroplanësh këtë vit. Nuk ka zgjedhur ende mes prodhimit suedez "Gripen", atij europian "Eurofighter", amerikanit "F-16" dhe rusit "MIG 29". Në axhendë është edhe blerja e anijeve të luftës për mbrojtjen e vijës së gjatë bregdetare prej 800 kilometrash. Në total, Zagrebi planifikon të investojë 2 miliardë euro në pajisje ushtarake moderne deri në vitin 2015.
Shqipëria ka në plan të heqë shërbimin ushtarak të detyrueshëm në janar 2010 dhe të krijojë një ushtri profesionistësh. Të punësuar në mbrojtje aktualisht janë 14,500, shifër që duhet të ulet më tej. Aeroplanët "MIG" dhe tanket sovjetike janë shitur për hekur. Nëndetëset e klasit "Odesa" do të zëvendësohen nga anijet e shpejta patrulluese. Kallashnikovi duket se do të mbetet arma e parapëlqyer për këmbësorinë. Shqipëria zotëron aq shumë automatikë të tillë sa i ka dhuruar disa edhe Irakut.
Maqedonia e hoqi shërbimin e detyruar ushtarak më 2006 dhe e ka ulur numrin e ushtarakëve në detyrë në 7800. Ushtarët vazhdojnë të përdorin kallashnikovin, ndërsa Forcat Speciale përdorin automatikë të prodhimit perëndimor. Ushtria ka vendosur të ndërpresë përdorimin e kallashnikovit, por nuk ka vendosur ende se çfarë do të përdorë. Shumica e tankeve ruse janë shitur për skrap, ndërsa një batalion me 32 tanke "T-72" janë ende në përdorim. Ushtria ka 14 helikopterë, dhjetë prej të cilëve janë prodhim rus "MIG-24".
Ushtria kroate ka më shumë eksperiencë në luftën moderne pasi luftoi për pavarësi në vitet '91-'95 kundër serbëve të armatosur shumë më rëndë, si dhe arsenalit të ushtrisë jugosllave. Këshilltarë amerikanë u blenë në mënyrë sekrete në mes të luftës, ndërsa armatime moderne i dhanë mundësinë të fitonte luftën kundër rebelëve serbë në vitin 1995.
Ushtria maqedonase luftoi kundër gueriljeve shqiptare për gjashtë muaj në 2001 dhe e pati pothuajse të pamundur të mbante luftimet nën kontroll. Ajo përdori tanke kundër guerrilasve dhe bleu helikopterë "Hind" të prodhuar në kohën e Bashkimit Sovjetik, si dhe pilotë ukrainas para se ndërkombëtarët të ndërhynin për të vendosur paqen.
Ushtria shqiptare rezultoi tërësisht jo eficiente në vitin 1997. Pas rikonstruktimit, ajo sot merr pjesë në operacionet perëndimore në Afganistan dhe Irak.
Të tria vendet kanë trupa në misione jashtë vendit. Shqipëria ka 280 trupa në Afganistan, Irak dhe Bosnje. Maqedonia ka 237 ushtarë. Kroacia ka dërguar 45 oficerë në misione të OKB-së, si dhe 200 trupa në Afganistan.