E Hënë, 2 Nëntor 2026

FONTANA “MASAKRON” MANÇININ

12/05/2005  Alberto Fontana ka lëshuar disa “bomba” në drejtim të trajnerit të tij Roberto Mançini. Në një intervistë për mediat italiane, portieri i dytë i Interit ka sulmuar ashpër trajnerin zikaltër: “Mërrëdhëniet tona kanë marrë fund kur i vura në dukje se golat e shumtë që pësonim ishin për shkak të lojës sonë. Është një fëmijë i llastuar, që ka frikë edhe nga hija e vet. Si lojtar ka qenë fenomenal, por si njeri është zero”. Fraza të pabesueshme, nga një lojtar që këtë vit ka qëndrua paproblem në stol dhe ka pasur edhe momentet e tij të lavdishme, kur i rrëmbeu vendin Toldos nga java e gjashtë deri në të nëntën, kur luajti edhe në derbi dhe rezultoi vendimtar në barazimin me Milanin. Dukej një ëndërr e pabesueshme, e jetuar në moshën 38 - vjeçare, pas shumë sezonesh si figurant. Pastaj, ka ardhur e menjëhershme kriza me trajnerin dhe kalimi si portier i tretë, ndërkohë që pas kaq muajsh ka ardhur edhe zbrazja e inatit nga ana e Fontanës, i cili ka shpjeguar arsyet e prishjes me Mançinin. “Po të mos më kishin ndalur shokët, do të isha zënë me grushte, sepse nuk mund të duroj më, ndonëse dukem tip i qetë. Që para disa muajsh, kur Mançini vazhdonte të na kritikonte ne portierëve për golat e pësuar, i kujtova që edhe me Lacion pësonte shumë gola. Prandaj, ndoshta faji nuk ishte i portierëve, por i mënyrës se si luanim. Që nga ai moment, marrëdhëniet tona morën fund, megjithëse në realitet nuk kanë ekzistuar kurrë”, deklaron i trishtuar portieri veteran, i cili ankohet sidomos për faktin se Mançini nuk i tha asgjë drejtpërdrejt: “Më thanë që isha bërë i papërshtatshëm, sepse me karakterin tim mund të hapja probleme. Por nuk ma tha Mançini, sepse ai nuk ka guxim për gjëra të tilla, megjithëse paguhet për ta bërë. Është një fëmijë i llastuar, që ka frikë edhe nga hija e tij dhe ka gjithmonë nevojë për të tjerët. Tani nuk habitem përse në kohën e tij të gjithë dashuronin Baxhion, ndërsa Mançinin nuk e pëlqenin”. Në mbyllje, Fontana kujton me nostalgji Hektor Kuperin: “Ishte një trajner i madh, që fliste gjithmonë hapur dhe bëja çmos ta kënaqja. Nga ai mund të pranoja gjithçka, edhe të luaja si portier i pestë, sepse ishte i sinqertë dhe i ndershëm”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›