Media e shkruar, prirje dhe fenomene
12/05/2005 Në kuadrin e 1-vjetorit të daljes në treg të gazetës "Metropol", stafi drejtues i gazetës organizoi ditën e djeshme, në hotel "Rogner", një seminar me temë: "Media e shkruar, prirje dhe fenomene". Ishin të pranishëm në këtë aktivitet, opinionistë dhe analistë që bashkëpunojnë me gazetën "Metropol" dhe jo vetëm, përfaqësues të Institutit të Mediave, si edhe përfaqësues të ndryshëm të mediave. Në fjalën e hapjes, presidenti i "Metropol Grup", Alban Xhaferri, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, por edhe bashkëpunëtorët dhe stafin e gazetës, shprehu bindjen se, "Metropol" do të vazhdojë të ecë në rrugën e vështirë të filluar një vit më parë, duke ruajtur me besnikëri integritetin e saj. Më pas, politologu Blendi Kajsiu, një ndër opinionistët e "Metropol", në kuadër të temës së diskutimit së tij, "Media dhe politika, nevoja të ndërsjellta", ngriti disa probleme në lidhje me marrëdhëniet e politikës me mediat, e fokusuar kryesisht në marrëdhëniet aktuale, por edhe në perspektivë. Kajsiu analizoi fillimisht vetë mediat, duke theksuar se problemi i parë që konstaton ai, në lidhje me formësimin e mediave në vendin tonë, është në lidhje me strukturën e pronësisë dhe pavarësinë editoriale. "Ne e dimë mirë se, në Shqipëri, pas mediave ndodhen biznese të fuqishme dhe, fatkeqësisht, ato përdoren shpesh për të mbrojtur ose promovuar investime të realizura. Kjo redukton pavarësinë editoriale, pasi krijon deformime, si rezultat i interesave që fshihen pas mediave. Suksesi i mediave, shpeshherë është edhe burimi kryesor i rreziqeve, pasi sa më e suksesshme të jetë një media, aq më shumë rritet tundimi për t'i përdorur ato për interesa të caktuara, fakt që fatmirësisht nuk ka ndodhur me 'Metropolin', një arsye për të cilën bashkëpunoj me të dhe shpresoj të mos ndodhë asnjëherë", tha Kajsiu midis të tjerash. Ndërsa, Remzi Lani, drejtor i Institutit Shqiptar të Medias, diskutoi në lidhje me temën: "Shtypi shqiptar, rruga e mundimshme drejt pavarësisë", duke nënvizuar faktin se, gazeta "Metropol" është një ndër ato pak gazeta që ka ditur të gjejë saktë rrugën e saj në këtë një vit të ekzistencës së saj në treg, në një ansambël prej 22 të përditshmeve që qarkullojnë sot në tregun shqiptar. "Ne mund të diskutojmë për shumë probleme, por nuk mund të vemë në dyshim faktin se, në Shqipëri opinionet shprehen lirshëm. Shtypi i shkruar ka bërë një progres të padiskutueshëm, që sado probleme të ketë, nuk mund të krahasohet as me gjykatat, as politikën apo parlamentin etj., por duhet të pranojmë se konturet e këtij shtypi janë të paqarta, me një treg të fragmentizuar, ku vetë tregu është fjala kyçe, në situatën e ditëve tona. Në rast se represioni ndaj mediave i takon së kalurës, presioni mbetet. Një presion që vjen nga politika, qeveria, grupet e biznesit apo, në ndonjë rast, edhe nga grupet kriminale. Shtypi ynë, ashtu si edhe në disa vende të lindjes u pluralizua, por nuk u bë i pavarur", vuri në dukje midis të tjerash Lani, duke i mëshuar faktit se, në rast se në Shqipëri është e domosdoshme të ndërtohet një ligj për mediat, gjë që ai personalisht nuk është dakord, atëherë kjo le të bëhet në mënyrën më të saktë. Pedagogu i gazetarisë dhe opinionisti Henri Çili, duke referuar në lidhje me temën: "Në kohën e gazetarisë së opinionit", vuri në dukje faktin se, "zgjerimi apo rikonceptimi i analizave, opinioneve apo komenteve, do ta bënin shtypin të mbijetonte dhe të ndikonte shumë më tepër në opinionin publik, pasi realiteti do të përçohej më qartë dhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë". Kryeredaktori i gazetës "Metropol" dhe drejtor i Qendrës së Informimit të Lirë, Sami Neza, u ndal te tema: "Gazetaria e shkruar, kërkime të reja", ku, pasi vuri në dukje faktin se politika mbetet sektori më i përfaqësuar në gazeta, apo faktin se kronika e zezë vazhdon të shesë më shumë, nënvizoi se kohët e fundit vihet re një zgjerim i tematikave apo edhe orientimi i tyre drejt lajmit utilitar. Një problem tjetër që ngriti Neza, ishte edhe fakti se të rinjtë vazhdojnë të jenë ende larg shtypit, për arsye të kostos së lartë që kërkon afrimi te kjo shtresë. Duke iu referuar modelit "Daily Me", një model i ndërtuar nga burime të çfarëdoshme lajmi apo informacioni, që lidhet drejtpërsëdrejti me interesat vetjake të lexuesit, Neza theksoi se "kjo formë, në një farë mënyre redukton koston, por duke reduktuar paralelisht edhe editimet e, njëkohësisht, gozhdon lexuesin në botën e tij, duke e shkëputur nga problemet e mëdha dhe të përbashkëta", duke shtuar se "në Shqipëri, për aq kohë gazetat do të shihen si burim influencash, më shumë se sa fitimi të drejtpërdrejtë, do të jetë e vështirë të krijohet ky treg i ri".