E Hënë, 2 Nëntor 2026

XHILARDINO, “YLLI” I MERKATOS

12/05/2005  Sulmuesi i Parmës ka shkëlqyer këtë sezon dhe është i dëshiruar nga klubet më të pasur të Evropës

Ka ikur koha e Ronaldos, Van Nistelroit e Krespos, sepse këtë verë “mbreti” i merkatos së futbollistëve do të jetë Alberto Xhilardino, 23 vjeç, aktualisht te Parma. Deri tani ka shënuar 22 gola në Serinë A dhe po mban Parmën në Serinë A, ndaj të gjitha klubet më të mëdha të Evropës janë vënë në radhë, për të bindur drejtuesit e klubit të pranojnë ofertat e tyre. Disa ditë më parë, Luka Baraldi, administrator i deleguar i klubit parmens, u tregua i qartë: “Asnjë lojtar italian nuk ka shënuar ndonjëherë sa Xhilardino dhe me të njëjtën vazhdimësi. Nëse Adriano është vlerësuar 50 milionë euro, atëherë as Xhilardino nuk vlen më pak, sepse ka shifra më të mira se beaziliani”. Pra, Parma ka fiksuar çmimin e hapjes së çdo tratative, shifër që ka trembur të gjithë blerësit e mundshëm, duke filluar nga Milani, që konsiderohej si destinacioni i sigurtë i sulmuesit të talentuar. “Me çmime të tilla, për blerjen e Xhilardinos nuk do të flitet as deri në fund të sezonit dhe as më pas”, ka deklaruar Adriano Galiani, i cili shpreson vetëm te dëshira e lojtarit për t’u veshur kuqezi. Realiteti është që e vetmja skuadër që mund ta blejë Xhilardinon me shifra të tilla është Çelsi, që ditën e djeshme ka ofruar 40 milionë euro, por nuk do ta kishte problem ta rriste ofertën. Në këtë pikë, Milani mund të shpresojë te një ulje çmimi nga ana e Parmës, por do të duhet edhe një sforcim ekonomik i madh, ku do të përfshihej edhe largimi i Krespos, Tomason e Simiç. Nga ana tjetër, duhen prekur edhe fitimet e ardhura nga Liga e Kampioneve, për të bërë të mundur të krijohet dyshja Shevçenko - Xhilardino. Nga ana tjetër, në garë është edhe Reali i Madridit, që mund të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira të Arrigo Sakit me drejtuesit parmensë. Kohët e fundit është folur për mundësinë e blerjes të parmës nga gjigantët spanjollë, gjë që do ta bënte të sigurtë kalimin e Xhilas në Spanjë. Gjithashtu, vështirë se Morati do t’i rezistojë tundimit për të realizuar një blerje të madhe, ndaj nuk përjashtohet edhe blerja e Xhilardinos, i cili do të formonte një dyshe ëndrrash me Adrianon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›