E Shtunë, 31 Tetor 2026

FOTA Iken Ferrari e Red Bull

Ferrari dhe Red Bull kanë vendosur të largohen dhe gjithçka lidhet me rregulloret në këtë sport. Përçahet FOTA, shoqata e skuadrave që marrin pjesë në Botërorin e Formula 1.

Lajmi nuk erdhi si një surprizë, mbi të gjitha pas dy mbledhjeve ku nuk u arritën rezultate, e fundit prej të cilave u zhvillua në San Paolo. Ferrari dhe Red Bull, dy skuadrat më të rëndfësishme, janë larguar njëkohësisht.

Skuadra nga Maranelo ka shpjeguar me detaje vendimin e marrë. Ndërkohë, kampionët e botës në fuqi, thjesht kanë konfirmuar “divorcin”, duke nënvijëzuar se do të vazhdojnë bashkëpunimin me skuadrat e tjera, për të gjetur një zgjidhje për çështjen e uljes së kostove. Austro-anglezët janë kundër çatisë së vendosur, ku parashikohet që skuadrat mos të shpenzojnë më tepër se 100 milionë euro në sezon.

Disi më i ashpër qëndrimi i Ferrarit, që pas largimit nga FOTA do të ketë lirinë për të diskutuar drejtë për drejtë me Berni Ekleston për kushtet e garimit. Drejtuesit e kokëkuqes këmbëngulin se marrëveshja rreth kontrollit të kostove duhet të bëhet më efikase, duke modifikuar rregullat e lojës. Synimi është që të mos i kushtohet më tepër rëndësi aerodinamikës, t’i haper rruga zhvillimit të testeve gjatë sezonit dhe të lejohet një makinë e tretë, me të cilën do të furnizohen skuadrat e vogla.

Nuk përjashtohet që në ditët në vazhdim, drejtuesit e Red Bullit dhe Ferrarit të takohen me homologët e tyre të MekLaren dhe Mercedes, për të synuar gjetjen e një zgjidhjeje. Në të kundërt, Formula 1 mund të përfundojë sërish në dyert e gjykatave.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›