E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia prek euro 2012

Kualifikimi në një eveniment madhor në futboll vazhdon të mbetet një dëshirë e të gjithë shqiptarëve. Megjithatë, pas zhgënjimit në kualifikueset e Euro 2012, përfaqësuesja kuqezi mund të prekë, edhe pse përciptazi, ëndrrën e saj.

Menjëherë pas mbylljes së sezonit, Federata Shqiptare e Futbollit ka planifikuar një grumbullim dyjavor në Poloni me lojtarët më të mirë. Në vendin që organizon turneun më të rëndësishëm kontinental, së bashku me Ukrainën, Kombëtarja do të ketë mundësinë të stërvitet, por edhe të zhvillojë miqësore luksi me ekipet pjesëmarrëse në fazën finale të Europianit. Objektivi kryesor është organizimi i tre ose katër përballjeve me skuadrat e Grupeve A dhe C, të cilat do ti zhvillojnë ndeshjet mes Varshavës, Gdanskut, Poznanit dhe Vroklavit. Natyrisht që synimi është të sigurohen përballje me ekipe “big” si Italia, Spanja apo Rusia, të cilat janë emrat më të mëdhenj të këtyre grupeve, ndërsa mes kundërshtarëve të mundshëm janë edhe Polonia, Republika Çeke, Greqia, Kroacia apo Republika e Irlandës.

Për këto miqësore, Shqipëria do të shfrytëzojë momentin kur skuadrat do të grumbullohen për afro një muaj përpara Euro 2012 dhe zgjedhin të bëjnë miqësore testuese në prag të turneut. Përveç ndeshjeve me rivalë të nivelit të lartë, grumbullimi dyjavor do ti shërbejë trajnerit të ri të Shqipërisë për një njohur më mirë skuadrën dhe për të seleksionuar futbollistët te të cilët do të mbështetet në kualifikueset e Botërorit 2014. Më parë drejtuesi i stolit, i cili pritet të zgjidhet deri në janar 2012, do të ketë mundësinë të njohë skuadrën më 29 shkurt, në datën e lirë të FIFA-s për miqësore ndërkombëtare. Ndërsa gjatë periudhës maj-qershor, në grumbullimin në Poloni do të hidhen bazat e ekipit të edicionit të ardhshëm.

Më parë, organizime të tilla me përfaqësuesen kanë qenë “zboret” që zhvilloheshin në janar, kryesisht me lojtarët e kampionatit. Por tashmë specifika ndryshon, pasi në fushë do të jetë ekipi më i mirë dhe emrat e rivalëve janë vërtetë prestigjioz.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›