FRD: Falenderojmë qytetarët që na janë bashkuar. E dimë që rruga jonë nuk do jetë e lehtë
Një ditë pasi Gjykata e Tiranës dha vendimin për regjistrimin e Frymës së Re Demokratike si person juridik, partia më e re në Shqipëri ka falënderuar qytetarët që i janë bashkuar asaj.
Anëtarët e Grupit Nismëtar prezantuan para publikut projektin e tyre politik në 30 prill 2012 dhe prej asaj dite, FRD ka qenë e angazhuar në një punë intensive që lidhet me anëtarësimin dhe krijimin e bazës së nevojshme ligjore për organizimin dhe funksionimin e saj. FRD deklaron me kënaqësi se nisma e saj ka gjetur përkrahje nga shtresa të ndryshme të popullsisë, të cilat janë ofruar pranë FRD dhe kanë mundësuar, brenda një periudhe 4 javore, rreth 12 mijë firma anëtarësh themelues, thuhet në një njoftim të FRD.
Sipas tyre, rruga e nisur nuk do jetë e lehtë, por projekti i tyre do bëhet programi i gjithë shqiptarëve.
Pas dorëzimit të dokumenteve në gjykatë, Fryma e Re Demokratike ka vazhduar me këmbëngulje të punojë për të zgjeruar numrin e anëtarësimeve dhe të mbështetësve të programit minimal dhe statutit që tashmë janë bërë publike.
Njëkohësisht, FRD po punon për shtrirjen e strukturave në të gjithë vendin, duke synuar që zëri i saj të gjendet në çdo qark, bashki, minibashki, komunë e qendër votimi. Fryma e Re Demokratike gjen sot rastin të falenderojë gjithë qytetarët shqiptarë që janë bashkuar dhe kanë mbështetur projektin e saj politik dhe inkurajon shqiptarët kudo që janë, ti bashkohen këtij projekti në qëllimin e madh të rikthimit të shpresës, në funksion të respektimit real të lirive dhe të drejtave demokratike të shoqërisë si dhe integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.
Ne jemi të bindur se nuk kemi nisur një rrugë të lehtë, se përpara kemi shumë punë dhe plot vështirësi që duhen kaluar. Por ne jemi të vendosur në zbatimin e projektit tonë politik, i cili nga sot nuk është më projekti vetëm i 12 mijë e më shumë anëtarëve të Frymës së Re Demokratike dhe i shumë mbështetësve të saj, por do të synojë të bëhet programi i të gjithë shqiptarëve.