Berisha fton BERZH të vazhdojë investimet

Berisha gjate takimit
TIRANE- Kryeministri, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me anëtarë të Bordit të Drejtuesve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) të cilët i njohu me situatën ekonomike në vend, duke e vënë theksin tek treguesit pozitiv, të cilët sipas kryeministrit dëshmojnë çdo ditë e më shumë rritjen ekonomike të vendit.
Kryeministri i njohu ata me përpjekjet dhe masat konkrete të ndërmarra nga qeveria shqiptare në vazhdimësi për krijimin e një klime sa më të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja, në të gjitha fushat veçanërisht në sektorin energjetik, agroindustri, turizëm, etj, si rezultat i të cilave këto investime janë rritur ndjeshëm në 4 mujorin e parë të këtij viti.
Kryeministri falënderoi përfaqësuesit e BERZH për bashkëpunimin e suksesshëm në shumë projekte të realizuara në Shqipëri, ndërsa shprehu nevojën dhe besimin për vazhdimin e financimit të projekteve nga ana e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, edhe në të ardhmen. Kryeministri kërkoi mbështetjen e BERZH, edhe në drejtim të sektorit bankar.