Karta e Adriatikut, Ministrat e Jashtëm u mblodhën në Sarajevë
Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Kartës SHBA-Adriatik (A5), u takuan më 20 Qershor në Sarajevë, për të shqyrtuar ecurinë dhe axhendën e kësaj nisme, pas Samitit të Çikagos. Delegacioni shqiptar në takim u kryesua nga zv.ministri i Punëve të Jashtme z. Selim Belortaja.
Si kryesues i radhës së këtij forumi, Ministri i jashtëm i Bosnje Hercegovinës, z. Zlatko Lagumdzija bëri një ekspoze të arritjeve të periudhës 6-mujore të presidencës së Bosnjë-Herzegovinës dhe kontributeve të çdo vendi.
Në fjalën e tij në sesionin e parë, zv.ministri Belortaja parashtroi angazhimin serioz të Shqipërisë në axhendën e deritanishme dhe të ardhme të A5. Si një vend anëtar i NATO-s, -tha ai, - Shqipëria kontribuon jo vetëm përmes realizimit të detyrave dhe plan-veprimit të vet në Aleancë, por edhe duke ndihmuar pa u kursyer vendet fqinje, aspirante në këtë nismë. Veçanërisht ndihma jonë për Malin e Zi dhe Bosnjë-Herzegovinën do të vazhdojë deri në plotësimin prej tyre të të gjitha kritereve për antarësim të plotë në NATO", theksoi Belortaja.
Në vijim, ai u ndal në nevojën e pjesëmarrjes së Kosovës dhe të Serbisë në Kartën e SHBA-Adriatikut. Kjo tha z. Belortaja, është jo vetëm në linjë me parimin e dyerve të hapura dhe atë të perspektivës Euro-Atlantike, të konfirmuara edhe nga Samiti i Çikagos, por edhe me potencialin praktik që ajo mbart, për një efikasitet në rritje të programit tonë.
Në sesionin e dytë, delegacioni shqiptar solli këndvështrimin e vet për detyrat dhe sfidat e reja të secilit vend anëtar i NATO-s, në kuadër të Samitit të Çikagos. U theksuan sidomos angazhimi ynë në Afganistan, në realizimin e konceptit "Smart Defence" etj. Propozimi i Shqipërisë lidhur me një ushtrim të përbashkët të rajonit mbi Emergjencat Civile është mirëpritur ndërkohë që takimi i parë planizues është organizuar dje në Tiranë.
Takimi u mbyll me miratimin e një Deklarate të Përbashkët të vendeve të A5. Pas 30 Qershorit kryesimi i radhës i A5 i kalon Kroacisë.