E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRESSH do të zëvendësojë ata që abuzuan me mandatin

10/11/2004  

Kryeministri Fatos Nano, njëkohësisht dhe kryetar i PS-së, i ka cilësuar si "çështje lehëse" debatet e ditëve fundit në politikën shqiptare. Gjithashtu, kryesocialisti ka paralajmëruar një hakmarrje ndaj deputetëve, të cilët votuan kundër heqjes së imunitetit të Nikollë Lesit në Kuvendin e Shqipërisë. Duke konkretizuar këtë, Nano i premtoi kreut të FRESSH-it, Gjergji Koja, postin e zëdhënësit politik, ndërsa të rinjve u tha se do të zënë vendet e atyre që kanë spekulluar me votat, që socialistët u kanë dhënë. Ky ka qenë dhe reagimi i parë i Nanos pas dokumentit që Nikollë Lesi zbardhi në Kuvend. Në lidhje me akuzat për trafik armësh, Nano ka theksuar se "unë dhe drejtësia jemi të gjithë përballë akuzave të Lesit në parlament".

Deputetët

Në një takim me të rinjtë e FRESSH-it, dega Tiranë, duke aluduar për debatet me Lesin, Nano tha "rruga juaj e karrierës në parti dhe administratë ecën pikërisht mbi vendet bosh, që do të lirojnë të korruptuarit, të paaftët, të inkriminuarit, evazorët, manipulatorët, trafikantët, çakallët dhe gjithkush tjetër që ka abuzuar me besimin dhe votat e socialistëve apo të freshistëve deri më sot". Veç debatit të hapur mes Kryeministrit Nano dhe deputetit Lesi, një debat tjetër është krijuar në radhët socialiste, duke iu referuar votimit të së hënës për heqjen e imunitetit të Lesit, ku mazhoranca nuk mundi të sigurojë votat e duhura. Ndërsa në lidhje me votimin, ku mbi 5 socialistë kanë qenë kundër heqjes së imunitetit të Lesit, Nano tha: "Siç e shihni, nuk na lejohet të bëjmë asnjë hile. Jemi në të gjitha dhomat e shtëpisë në transmetim direkt". Deklarata e Nanos vjen në momentin kur do të nisë dhe procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për deputet. Sipas programit të PS-së, faza e tretë e Kuvendimit të Madh do të sjellë dhe përzgjedhjen e socialistëve, që do të pretendojnë të jenë në Kuvend. Për këtë, Nano ka theksuar se nuk do të lejohen ata që kanë abuzuar me mandatin që i kanë dhënë socialistët dhe FRESSH-istët.

Koja

Një reagim i ashpër ndaj fenomenit të rrjedhjes së votës së deputetëve socialistë, gjatë votimit për heqjen e imunitetit të Nikollë Lesit mbajti dje kreu i FRESSH-it, Gjergji Koja. "Disa deputetë socialistë votuan në parlament ndoshta pa e ditur se po votonin për hijen e Millosheviçit", tha Koja. Sipas tij, këtë votë do ta përfaqësojnë më mirë në parlament disa eurosocialistë, të cilët do të jenë tepër të përgjegjshëm për mandatin. Ndërsa në lidhje me aleatët, Koja tha se PS nuk do të lejojë të tërhiqet zvarrë, për shkak të frikës se ndonjëri nuk do të na votojë Buxhetin.

Nano kërkon hetime nga Prokurori

Fatos Nano, në cilësinë e Kryeministrit i është drejtuar dje me anë të një letre Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, me qëllim nisjen e hetimeve mbi të gjitha deklarimet e deputetit Nikollë Lesi në Kuvendin e Shqipërisë. Nano i drejtohet Prokurorit të Përgjithshëm “për të përmbushur të gjitha hapat si dhe veprimet ligjore e institucionale të organit të prokurorisë, për kryerjen e hetimeve të plota dhe të gjithanshme lidhur me përmbajtjen dhe rrethanat e tjera që kanë të bëjnë me thëniet dhe materialet e bëra publike, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, nga zoti Nikollë Lesi, për të filluar dhe zhvilluar hetime në këtë funksion, në mbështetje të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë”. Nano thekson se ndjen përgjegjësinë institucionale, morale dhe politike për të qenë plotësisht i angazhuar të përmbush të gjitha detyrimet ligjore që sigurojnë respektimin e parimeve të funksionimit të shtetit ligjor në Republikën e Shqipërisë”. Po ashtu, Kryeministri Nano i është drejtuar edhe SHISH-it, për kontrollin e zbatimit të procedurave ligjore e nënligjore në lidhje me mënyrat e mbledhjes dhe sigurimit të informacionit, si dhe përdorimin e teknikave të kontrollit fizik e elektronik për periudhën 01.12.1997-01.02.1998

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›