Sot paraqiten në Kuvend 35 firmat e deputetëve
10/11/2004 Deputeti Nikollë Lesi pritet të paraqesë sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Burimet kanë bërë të ditur se, deri më tani, Lesi ka mundur të mbledhë një numër të konsiderueshëm votash. Por, duke qenë se firmat është më e lehtë të mblidhen në seancë plenare, ku janë të gjithë deputetët, ai ka vendosur që këtu të konkretizojë dhe 35 votat e nevojshme. Sipas rregullores, Kuvendi është detyruar të ngrejë një komision hetimor menjëherë pasi paraqitet një kërkesë me një të katërtën e firmave të deputetëve. Por në këtë pikë është kushtëzuar që Komisioni Hetimor parlamentar ka objekt të trajtimit vetëm çështje, të cilat prekin interesin e gjerë të popullit shqiptar. Ndaj dhe mënyra e paraqitjes së kërkesës nga Lesi do të jetë një shkas për ngritjen ose jo të komisionit hetimor. Sipas rregullores, mazhoranca socialiste nuk mund të hedhë poshtë kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor, por mund të kërkojë zgjerimin e objektit të hetimit. Burimet kanë bërë të ditur se Lesi në kërkesë shprehet që, duke u nisur nga dokumente tepër komprometuese, që implikojnë Kryeministrin në trafiqe armësh, kërkohet ngritja e komisionit hetimor. Në këtë mënyrë, mbështetet dhe kërkesa e rregullores, sipas të cilës objekt hetimi duhet të jetë një çështje me rëndësi për shqiptarët. Dokumentet e paraqitura në seancën e fundit plenare nga Lesi, ku Kryeministri Nano del i implikuar në trafiqe masive armësh dhe në një aksident rrugor, me pasojë vdekje në Shkallnur, do të jenë në qendër të këtij komisioni. Komisioni hetimor pritet të kërkojë dhe dëshminë e Fatos Nanos, Fehmi Abdiut, Fatos Klosit, Kujtim Hysenaj, Thimio Kondi dhe ish-funksionarë apo funksionarë aktual shtetërorë të përfshirë në këtë çështje.