E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano anetari 00006 ne FRESSH

10/11/2004  Fatos Nano, anëtari i FRESSH me numër anëtarësie 000006

Kryeministri Fatos Nano është bërë anëtari më i ri i Forumit Rinor Eurosocialist. Nanos i është dhuruar karta e anëtarësisë me numër 000006. Në konferencën e djeshme të FRESSH-it në Tiranë, në prani të 120 të rinjve, janë zhvilluar zgjedhjet për strukturat drejtuese. Kryetari i këtij forumi, deputeti socialist, Gjergji Koja, u shpreh se "FRESSH-i reflekton një moral ndryshe, duke i dhënë fund kështu taktikave për privatizim të këtij forumi, me anëtarësime në këmbim të të drejtave të studimit nëpër fakultetet shqiptare". Ndërsa Nano në fjalën e tij përshëndetëse ka sulmuar dy ish-drejtuesit të FRESSH-it, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Sipas tij, "modeli Meta-Kryemadhi dëshmoi se evolucioni i brezave nuk bëhet dot me numratorin me gogla të kopshtit, apo tespijes në duart e liderit". Nano tha gjithashtu se konkurrimi mbi bazë vlerash do t'i hapë rrugë të rinjve drejt karrierës politike administrative. Të rinjtë e FRESSH-it të Tiranës kanë bërë riorganizim të punës në shtimin e anëtarëve të këtij forumi nëpër shkollat e mesme dhe në universitete. Gjithashtu, janë ndarë kartat e reja për anëtarët e këtij forumi, duke pasur parasysh të larguarit drejt Lëvizja Rinore për Integrim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›