E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më shumë vëmendje ndaj emigrantëve tanë

10/11/2004  Komisioni parlamentar i Punëve të Jashtme dhe Komisioni i Rendit kanë miratuar projektligjin për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, ku ka shpjeguar pikat e paraqitura nga qeveria për këtë strategji. Burimet kanë bërë të ditur se shqetësim për deputetët është paraqitur gjendja e emigrantëve shqiptarë. Sipas deputetëve të opozitës, shteti duhet të bëjë më shumë në favor të shqiptarëve, që punojnë dhe jetojnë jashtë shtetit. Për këtë mësohet se është kërkuar respektimi i Konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që janë nënshkruar dhe nga shteti shqiptar. Ndërkohë që për marrëdhëniet rajonale është theksuar se Shqipëria duhet të ketë një qëndrim në favor të stabilitetit dhe të paqes në rajon. Në Komisionin e Rendit dhe të SHISH-it janë trajtuar më me hollësi marrëdhëniet e brendshme të Shqipërisë. Drafti i paraqitur nga Qeveria është diskutuar më parë dhe në mbledhjen e Komitetit të Sigurisë Kombëtare, të drejtuar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Sipas porocedurës së Kuvendit, drafti për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare do të kalojë për votim në seancën plenare të ditës së hënë. Ndërkohë, as deputetët e opozitës dhe as ata të mazhorancës nuk kanë paraqitur vërejtje. Megjithatë mësohet se është kërkuar që qeveria t'i kushtojë më shumë vëmendje garantimit të të drejtave të emigrantëve shqiptarë jashtë shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›