E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogët në protestë,

10/11/2004  Pedagogët e inxhinierive: të dyfishohen pagat, Ministria e Arsimit: Do të ketë rritje pagash

Pedagogët e degëve inxhinierike dje në shenjë proteste për uljen e pagesave nuk kanë hyrë në mësim gjatë gjithë ditës. Ata “kërcënojnë” se, në qoftëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre, ndërprerja e mësimit do të jetë pa afat. Studentët përfituan dje duke bërë pushim dhe një pjesë e tyre urojnë që të bëhet pushim, por një pjesë tjetër nuk janë “të kënaqur” nga këto pushime, pasi do të thotë që provimet t’i përfundojnë në korrik e gusht. “Sot njëherë e kisha me përtes të vija në shkollë, shyqyr që e bëmë pushim, nga një i tillë në javë na duhet”, thotë Marin Goga, por krejt ndryshe mendon shoku i tij. “Do të na vejë gjithë viti shkollë, unë pushimet i dua pushime”, thotë Erti, i cili është nxënës i mirë. “Por, mbase pas kësaj do të tregohen më të mirë pedagogët me ne për provime”, thotë një tjetër.

Prej dy muajsh ka nisur reagimi i pedagogëve të inxhinierisë kundër urdhrit të dalë në muajin korrik nga Ministria e Arsimit, ku futen në ngarkesën mësimore të detyrueshme dhe laboratorët, detyrat e kursit, që më parë paguheshin mbi pagën dhe ulet pagesa për orët e tjera shtesë. Ndërkohë, ky unviersitet ka gati gjysmën e programit me detyra kursi dhe laboratore, për vet profilin që ka. Duke qenë se presioni i pedagogëve të Universitetit Politeknik po vjen duke u rritur, Ministria e Arsimit vendosi të “lëshojë pe”. “Në lidhje me sistemin e pagave, edhe pse kjo çështje nuk varet drejtpërsëdrejti nga MASH në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe atë Politeknik, është hartuar Drafti për Autonominë Financiare, ku, nëpërmjet shpërblimeve të parashikuara në të, do të pësojë rritje të ndjeshme paga bazë e pedagogëve”, tha këshilltari dhe zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Vladimir Lame. Megjithatë, ai theksoi se në këto kushte nuk mund të bëhet ngrirja e menjëhershme e efekteve të këtyre udhëzimeve vetëm me kërkesën e një prej universiteteve, ndërkohë që Ministria e Arsimit është në proces rishikimi të tyre. Nëse kjo zgjidhje nuk do të jetë e shpejtë dhe efektive, pedagogët përsëri do të reagojnë. “Do të presim një javë, derisa të reagojë Ministria e Arsimit, më pas do të vendosim për grevë pa afat”, thotë pedagogu prof. dr. Angjelin Shtjefni. Megjithatë, hapat që do të ndërmerren do të vendosen nga komisioni i grevës së pedagogëve. Por, Ministria e Arsimit siguron se brenda muajit nëntor, Drejtoria e Arsimit të Lartë dhe Njohjes së Diplomave në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës do të rivlerësojë orën e mësimit nëpër fakultete. Ndërkohë drejtuesit e Ministrisë së Arsimit shprehen se udhëzimet e reja për ngarkesën mësimore, organizimin e studimeve dhe strukturën e vitit të ri akademik të bëra publike e transparente për stafet akademike dhe opinionin publik, janë në zbatim të reformës në Arsimin e Lartë. “Këto vendime janë marrë nga grupe të përbashkëta pune në bashkëbisedim me qarqet akademike, ndër to edhe rektori i Universitetit Politeknik si dhe drejtues të sindikatave të këtij universiteti”, thotë Lame. Sipas tij, elementët që lidhen me këto udhëzime janë në proces ndryshimi për të përsosur punën e stafeve akademike në të gjitha universitetet e vendit. Njëkohësisht është në proces dhe hartimi i Statusit të Profesorit në bashkëpunim të ngushtë me Rektoratin e Universitetit të Tiranës dhe me universitetet e tjera në vend.

Pedagogët kërkojnë:

Dyfishimin e nivelit aktual të pagave për të gjithë punonjësit e Universitetit

2. Të pezullohet zbatimi i udhëzimit të MASH, i datës 04. 10. 2004, i cili të mos ketë kufizime për pagesën e punës së kryer nëpërmjet orëve suplementare dhe të mbulohet nga buxheti i shtetit

3. Të sigurohet autonomia e plotë universitare dhe të ardhurat e Universitetit të mos jenë

objekt taksimi dhe të kenë mundësinë e transferimit nga një vit financiar në tjetrin

4. Përmirësim të infrastrukturës së mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor

Bashkia, trafikun s’e kanë ngarkuar punimet në rrugë, por ashtu ka qenë

Tirana, për zgjedhje

përurohen 18 rrugë

Deri në qershor, rrugët e Tiranës do të vazhdojnë të jenë në ndërtim, për t’u inauguruar një nga një për fushatë. Nga 33 rrugë, ku po punohet njëherësh, vetëm 6 prej tyre do të përfundojnë brenda muajit dhjetor, të tjerat në qershor. “Bashkia e Tiranës në fushën e investimeve publike për vitin 2004 ka ndërhyrë në 42 objekte, nga të cilat 33 objekte të infrastrukturës rrugore dhe 9 objekte të infrastrukturës arsimore, me një buxhet të përgjithshëm prej 3,022 miliardë lekë”, tha dje srejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Dritan Agolli. Nga 33 rrugë kanë përfunduar punimet në 9 objekte, që ishin në vazhdim nga viti i shkuar, përfundojnë, brenda dhjetorit të vitit 2004, 6 objekte dhe gjatë vitit 2005 do të përfundojnë 18 objekte. “Afatet e përfundimit të objekteve, që përfundojnë në vitin 2005, shtrihen në varësi të objekteve që nga muaji prill 2005 deri në muajin tetor 2005”, tha Agolli. Pyetjes se përse janë hapur këto rrugë njëkohësisht, ai ju përgjigj se nuk kishte më kohë për të pritur. Sipas tij, në të gjitha objektet punimet janë duke vazhduar sipas ritmeve të parashikuara, pavarësisht pengesave si lirimi i sheshit të ndërtimit nga ndërtimet pa leje, spostimi i shtyllave të KESH dhe Telekom, apo problemeve me infrastrukturën nëntokësore. Duke patur parasysh realizimin e volumeve të punimeve dhe grafikët e tyre, bashkiakët janë të sigurt se kontratat lidhur me afatet e përfundimit do të respektohen nga ana e firmave, madje në një pjesë të mirë të tyre pretendojmë t’i mbyllim ato dhe para afatit të përcaktuar. Ndërkohë, lidhur me shqetësimin se janë krijuar probleme me trafikun, Agolli përpiqet të sqarojë se ndikimi i punimeve në akset kryesore mbi trafikun është minimal, pasi nuk besoj se ndokush mund të thotë se në rrugën e Durrësit, të Dibrës apo të Elbasanit para fillimit të punimeve trafiku ishte normal. “Ju mund ta shikoni se në pjesën më të madhe të akseve kryesore nuk është prekur akoma rruga ekzistuese, por është duke u punuar në pjesën që zgjerohet, pra situata, nga pikëpamja e trafikut, është pothuajse ajo që ka qenë para fillimit të punimeve”, thotë ai. Lidhur me shqetësimin se nuk po punohet me ritmet e duhura, ai u përgjigj se të gjitha të dhënat nga mbikëqyrësit e punimeve, raportet mujore, situacionet tregojnë se ritmet e punimeve janë mëse normale. “Ju them me përgjegjësi të plotë se duke shmangur në kohë pengesat artificiale, të gjitha objektet e filluara do të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara në kontratat e punimeve dhe me një cilësi maksimale”, tha Agolli.

Nga 33 objekte të infrastrukturës rrugore:

- Kanë përfunduar punimet në 9 objekte, që ishin në vazhdim nga viti i shkuar

- Përfundojnë brenda dhjetorit të vitit 2004, 6 objekte

- Do të përfundojnë gjatë vitit 2005, 18 objekte

Infermierët: jemi me paga minimale

Për t’u bërë infermierë nuk mjafton vullneti i mirë për të punuar me pacientët në nevojë dhe uniforma e bardhë. Për këtë qëllim duhet të studiosh 4 vjet në universitet, ashtu si çdo profesion tjetër. Por në fund, megjithëse Ministria e Shëndetësisë ka nisur edhe një reformë për ta kthyer infermieren në partnere me mjekun, e vetmja pikë që nuk ka ndryshuar është paga minimale e tyre. Këto dhe shumë probleme të tjera vetë

infermierët i kanë diskutuar në Konferencën Kombëtare të Infermierëve të Shqipërisë.

Arsim, braktisja e fshehtë gjithnjë në rritje

Fenomeni i braktisjes së shkollës nga një numër i madh fëmijësh sa vjen e po rritet, duke

u bërë një nga shqetësimet kryesore të specialistëve të arsimit të rrethit të Kukësit. Aq sa vetë ata pranojnë se "numri i nxënësve, që kanë braktisur shkollën, është shumë më i lartë

se ai që ndodhet rëndom nëpër statistika". Braktisja "e fshehtë" e shkollës (nxënës që ndodhen vetëm të regjistruar në shkolla, por pa shkuar thuajse asnjëherë në të) është fenomeni më i përhapur thuajse në të gjitha shkollat, veçanërisht të zonave rurale. "Numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën në moshën mbi 16 vjeç, në vitin shkollor 2003-2004 arrin në 504 nxënës, ndërsa për vitin 2004-2005 janë vetëm 105 nxënës",

thotë përgjegjësi i zyrës së statistikës në Drejtorinë Rajonale të Arsimit, Nehat Sokoli. Ekzistencën e këtij fenomeni negativ e pranojnë edhe drejtuesit e shkollave. "Ka shumë nxënës që thuajse nuk vijnë në shkollë përgjatë gjithë vitit, por jemi të detyruar t'i klasifikojmë, pasi ekzistojnë nëpër regjistra", thotë drejtuesi i një shkolle. Ai shton se "të tillë nxënës, përgjithësisht kështu vijojnë të përcillen nga viti në vit derisa mbushin moshën, pas së cilës i çregjistrojmë". Paradoksi është se të tillë nxënës nuk figurojnë as në listat e analfabetëve që përgatisin specialistët e arsimit, ndonëse realisht janë të tillë. Problemi po bëhet gjithnjë e më shqetësues, gjë që ka ndikuar deri-diku edhe në uljen e numrit të nxënësve në disa shkolla, duke rritur artificialisht edhe numrin e klasave kolektive, gjë që tashmë janë të zakonshme edhe në arsimin 8-vjeçar të këtij rrethi. Specialistët pohojnë se braktisja e shkollës është rrjedhojë e gjendjes së vështirë ekonomike të banorëve të kësaj zone, e largësisë së mjaft shkollave, që në disa zona të rrethit është nga 3-5 kilometra larg vendbanimit etj. Ndërkohë, OJQ-të kanë evidentuar faktin se janë të paktën 350 fëmijë të moshës 10-14 vjeç që kryejnë punë të ndryshme, kryesisht në sektorin e tregtisë vetëm në qytetin e Kukësit, gjë që tregon për përmasat reale që po merr fenomeni i braktisjes së shkollës. Problemi jo se nuk njihet nga specialistët e arsimit, por "fshihet". Nga ana tjetër nuk ka ende një strategji të qartë për mënyrat e minimizimit të fenomenit, që nga viti në vit ka ardhur duke u rritur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›