E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët në favor të PLL-së për numërimin e votave

10/11/2004  Socialistët i janë rikthyer dhe një herë diskutimit mbi mënyrën e ngritjes së Komisioneve Zgjedhore Zonale. Një javë më parë, me konsensus mes PD-së dhe PS-së, u vendos që në KZZ-të të kenë anëtarë përfaqësues të PDR-së dhe të partisë së parë dhe të dytë të opozitës të dala nga renditja e votimeve të vitit 2003, pra PD dhe PR, ndërsa nga e majta do të jenë tre partitë e para të dala nga zgjedhjet e vitit 2001, pra PS, PSD dhe PBDNJ. Me këtë formulë, PS do të ketë 2 anëtarë në 50 zona, ndërsa PD po 2 anëtarë në 50 zona të tjera. Por dje, Elmaz Sherifi tha se një vendim i tillë nuk është marrë ende. Madje, ai tha se deputetët vetëm sa kanë diskutuar. Në shkëmbim të këtij vendimi në mbledhjen e zhvilluar në Komisionin Bipartizan, socialistët kanë hedhur për diskutim kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sipas të cilës votat e zgjedhësve duhet të numërohen në qendër të komunës, në mënyrën sa më publike. Ndërsa si monitorues në qendrat e votimit, duhet të marrin pjesë 15 parti. Kjo ka lënë të shtangur deputetët e opozitës, të cilët thanë se vetë media e ka publikuar këtë vendim të marrë me konsensus, ku KZZ-të dhe KQV-të kanë shtatë anëtarë sipas formulës së mësipërme.

Përplasja

Sipas vendimit të një jave më parë, Partisë Lëvizja e Legalitetit i hiqet e drejta për të pasur një anëtar në komisionet e votimit dhe në Komisionet Zgjedhore Zonale. Por duket se vendimi i socialistëve për të rikthyer debatin mbi partitë që do të kenë anëtarë në komisione, ka sjellë dhe një mbështetje për PLL-në. Këta të fundit nuk kanë ngurruar të shprehin kënaqësinë për rikthimin e debatit. Gjithsesi, deputetët e opozitës janë shprehur se rikthimi i një diskutimi nuk mund të bëhet nëpërmjet mashtrimit se nuk është votuar. Por, për këtë duhet një diskutim real dhe me vullnet pozitiv. Për ta, veprimet e socialistëve nuk të lënë të shpresosh për një proces të rregullt zgjedhor.

Propozimi

Propozimi për numërimin e votave të zgjedhësve jo në komisionet e votimit, por në KZZ-të, ka ardhur nga Presidenca në muajin korrik të këtij viti. Moisiu, pas një konsultimi me Grupin e të Urtëve ka propozuar ngushtimin e kompetencave për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo është mbështetur më pas dhe nga deputetët e LSI-së. Në bazë të kësaj formule qëndron pjesëmarrja e 15 partive me anëtarë në komisionet e votimit. Këta nuk do të kenë të drejtë të numërojnë votat, por vetëm të administrojnë procesin. Kutitë me fletët e votimit do të kalojnë të mbyllura në komisionet zonalë, që në ambiente publike do të numërojnë fletët e votimit. Fillimisht, socialistët e kanë kundërshtuar këtë propozim. Por, pas ngulmimit të Presidencës, LSI-së dhe së fundmi të PLL-së, përfaqësuesit e PS-së kanë kërkuar ndryshimin e formulës së miratuar një javë më parë, duke hedhur në treg kërkesën e Grupit të të Urtëve.

Përplasja për votimin në KQZ

Anëtarët e Komisionit Bipartizan kanë bllokuar diskutimet për mënyrën e vendimmarrjes në KQZ. Socialistët, nga ana e tyre, kanë kërkuar që vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të jenë të vlefshme nëse marrin të paktën 4 vota pro, nga shtatë anëtarë që ka KQZ-ja. Kjo është kundërshtuar nga deputetët e Partisë Demokratike, që kanë deklaruar se në këtë mënyrë socialistët kërkojnë të manipulojnë zgjedhjet. Sipas tyre, socialistët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë katër anëtarë, ndërsa opozita 3. Duke vërejtur këtë ndarje, Gjana ka ngritur shqetësimin se vendimet në KQZ do të jenë politike, duke sjellë dhënien e mandateve në favor të PS-së. Sipas Gjanës, formula më e pranueshme do të ishte që vendimet e KQZ-së të cilësohen të miratuara vetëm në rast se marrin më shumë se 5 vota. Në këtë mënyrë bëhet e domosdoshme arritja e konsensusit, që gjithnjë do të bazohet në ligj dhe në fakte konkrete. Ndërkohë, ekspertët që po punojnë pranë OSBE-së, kanë kërkuar që të hiqet vendimi i cilësuar në komisionin e zgjedhjeve. Pra, nga 5 me 2 vendimet do të quhen të miratuara dhe nëse marrin 4 vota pro. Por, formula nuk është paraqitur ende e qartë. Kjo ka sjellë që të shtyhet diskutimi në Komisionin Bipartizan, që do të funksionojë deri më 22 nëntor.

PD propozon tre emrat për KQZ

Kryesia e Partisë Demokratike vendosi dje ti propozojë Presidentit të Republikës emrat e Çlirim gjatës, Olsi Dados dhe Eduart Halimit për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Burimet kanë bërë të ditur se të tre emrat nuk kanë qenë më parë anëtarë të forumeve të Partisë Demokratike. Sipas ligjit të miratuar në Kuvend anëtarët e KQZ-së nuk duhet të kenë qenë të përfshirë në strukturat e partive politike deri në 5 vjet para nisjes së detyrës. Emrat do të paraqiten për votim në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pas këtij votimi një nga të tre kandidatët do të zërë vendin e Maksim Shimanit. Vendimi i PD-së erdhi pas dështimit të disa emrave, që cilësoheshin politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›