FRESSH kundër drejtuesve të emëruar nga Rama
Reforma e nisur nga Partia Socialiste do të përfshijë dhe forumin e socialistëve të rinj, FRESSH. Kjo duket se ka kthyer besimin te një pjesë e të rinjve të këtij forumi, të cilët deri më tani kanë qenë të pakënaqur nga mënyra sesi ky forum ka funksionuar apo është drejtuar. Në një letër publike, kryetari i Asamblesë së Forumit Rinor Eurosocialist të Tiranës, Entel Agolli, teksa ka mbështetur nismën e kryetarit Rama për të ndërhyrë dhe në këtë organizatë të të rinjve socialistë, nuk ka lënë pa evidentuar problematikat që kanë shoqëruar këtë forum gjatë viteve të fundit. “Forumi rinor eurosocialit mbështet nismën e kryetarit të Partisë Socialiste, z. Edi Rama, për ndryshimet në FRESSH, si dhe për zgjedhjen e drejtuesve të këtij forumi, i cili do të bëhet tani nga Forumi dhe të rinj socialistë dhe nuk do të ketë më të rinj të deleguar, të cilët vijnë nga jashtë dhe nuk janë në radhë të partisë”, - thuhet në këtë letër. Më tej, ai thekson se FRESSH për shkak të politikave të ndjekura deri tani ka qenë shumë i vakët me pjesëmarrjet e të rinjve në forumin socialist. “Kjo vjen si pasojë nga ana e drejtimit dhe politikave të gabuara që kanë ndjekur drejtuesit e FRESSH-it. Problemi më i madh që ishte në dështimin e FRESSH, vinte si pasojë nga njerëz të cilët nuk ishin të ardhur apo të dalë nga vetë forumi socialist (FRESSH ), por të ardhur nga jashtë, të cilët nuk kishin idenë se cili ishte forumi socialist dhe sesi duhen motivuar të rinjtë që të jenë më pranë një force politike”, - shprehet Agolli në këtë letër.