E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF: Shteti përgjegjës për dhunën në stadiume

Nga Besar Bozgo

Dhuna në stadiumet shqiptare që ka nisur që në javët e para të fillimit të kampionateve ka arritur kulmin gjatë zhvillimit të ndeshjeve gjatë kësaj jave. Ka nisur të premten në Burrel ku pas përfundimit të takimit Burreli-Erzeni, i vlefshmë për Kategorinë e Parë është goditur për vdekje me sende të forta Shefi i Arbitrave në Federatë, Sulejman Mema, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak. Dhuna më pas vazhdoi të dielën kur pas përfundimit të ndeshjes Policani-Bylis, e vlefshme për Kategorinë e Dytë, vetë kryetari i bashkisë së Policanit bashkë me disa tifozë vendas goditën me grushte dhe shkelma dy futbollistë të Bylisit të cilët u dërguan menjëherë në spital duke arritur deri aty sa i kërcënuan me jëtë këta të fundit. "Kupa" është mbushur tashmë dhe nuk mban më. Menjëherë sot ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit dhe me anë të një deklarate për shtyp Sekretari i Përgjithshëm, Roland Mici ka kërkuar që tashmë duhet të ndërhyjë vetë shteti. I pyetur nëse FSHF do të marrë në konsideratë ndryshimin e ligjeve dhe sidomos bashkëpunimin me autoritetet shtetërore për të miratuar ligje që parandalojnë dhunën, avokati u përgjigj: "Këtu jam në fushën time dhe tashmë e kemi marrë në konsideratë një gjë të tillë. Sa më shpejt që të jetë e mundur, do t'i paraqes Komitetit Ekzekutiv një paketë ligjesh, për të forcuar ligjet ekzistuese sportive, si dhe do të studiojmë mundësinë e përpilimit të ligjeve jo thjesht në KDS, në bashkëpunim me autoritetet shtetërorë përkatës, për të bërë maksimumin në parandalimin e dhunës. Jeni dëshmitarë të faktit që federata është treguar e ashpër me shkeljet këtë vit futbollistik, e megjithatë konstatojmë se shfaqjet e dhunës përsëri vazhdojnë". "Në të tilla kushte kur dhuna po kthehet në një normalitet në stadiumet tona, rregullat e Disiplinës Sportive nuk pijnë më ujë. Duhet që në këto kushte ku jemi të ndërhyjë shteti dhe Ministria e Brendshme që të sigurojë zhvillimin normal të ndeshjeve dhe eliminimin e dhunës. Ne kërkojmë nga policia dhe gjykatat që të kapin dhe dënojnë maksimalisht ata persona që hyjnë në fushat e stadiumeve dhe dhunojnë deri për vdekje gjyqtarët dhe lojtarët. Ka ardhur koha që të veprojnë ligjet e shtetit, ndryshe stadiumet mund te cilësohen si vende shoqërisht të rrezikshme" përfundoi Sekretari Mici. Ndërkohë që nesër do të mblidhet Komisioni i Disiplinës, i cili do të marrë masa ndaj incidenteve të dhunës që kanë ndodhur gjatë kësaj jave ku më i lakuari është ai që ka ndodhur në Burrel. "Para një muaji, kemi pasur një bisedë me drejtuesit e lartë të policisë, por shoh me keqardhje që gjithcka ka mbetur në rangun e premtimeve. Janë disa situata që nuk mund t'i zgjidhë federata dhe policia këtu ka lënë shumë për të dëshiruar si partneri ynë kryesor në përpjekjet për mbarëvajtjen e ndeshjeve", deklaroi Mici

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›