FSHF, drejt gjyqit me Televizionin Publik

FSHF-ja, me të gjitha gjasat, do të hedhë në gjyq Radio Televizionin Publik Shqiptar, pasi ky i fundit nuk ka paguar ende paratë për 6 ndeshjet zyrtare të eliminatoreve të kuqezinjve për Botërorin e 2006 s. Kanë qenë burime konfidenciale në FSHF, ato që kanë konfirmuar një fakt të tillë. Sipas informacionit të marrë, kjo e fundit është lodhur duke pritur që RTSH ja të paguajë 60.000 eurot, në bazë të kontratës për shitjen e së drejtës televizive për ndeshjet e kombëtares. Duke parë që ky institucion disa herë nuk është bërë i gjallë, federata ka vendosur që cështjen ta ndjekë në rrugë gjyqësore. Për këtë problem avokatët e federatës kanë studiuar kontratën mes palëve dhe kanë dalë në konkluzion se, nëse RTSH ja nuk paguan paratë e 6 ndeshjeve zyrtare të kombëtares, të trasmetuara nga televizioni publik shqiptar, atëherë, cështja duhet të zgjidhet në rrugë gjyqësore. Për këtë problem, zyrtarisht në FSHF konfirmojnë se RTSH ja ka një detyrim prej 60.000 eurosh. Ky detyrim sipas sekretarit të federatës Roland Mici, ende nuk është paguar nga media e vetme publike në vend. "Eshtë e vërtetë që mes RTSH së dhe FSHF së ka një kontratë për shitjen e së drejtës televizive. Ne, si institucion i futbollit, duhet të kishim përfituar ato para, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Pra, paratë për ndeshjet e kombëtares nuk janë paguar nga RTSH ja. Për momentin unë nuk mund të them se kush do të jetë hapi i mëtejshëm i federatës. Por mesa shihet, kjo cështje po shkon drejt dyerve të gjykatës," është shprehur dje për këtë problem sekretari Roland Mici. Por problemi i vetëm në këtë konflikt, duket se nuk është vetëm shuma që i ka borxh RTSH ja, FSHF së. Problemi tjetër është fakti se shqiptarët rrezikojnë të privohen nga RTSH ja për të parë ndeshjet e kombëtares në ekranin e këtij televizioni. Federata, për shkak të këtij problemi, po sheh mundësinë që të zhvillojë një tender të ri për shitjen e së drejtës televizive të ndeshjeve të kombëtares. Të paktën teorikisht, në federatë e mendojnë një fakt të tillë. Sipas sekretarit Mici, federata, duke parë moskorrektësinë e RTSH së dhe detyrimin financiar (që akoma nuk është paguar nga TVSH ja), mund të zhvillojë një ankand për të shitur të drejtën televizive të ndeshjeve të kombëtares shqiptare. "Duke parë situatën dhe nëse TVSH ja nuk paguan paratë sipas kontratës, federata është e detyruar që të zhvillojë një tender për shitjen e së drejtës televizive të kombëtares. Normalisht, të drejtën eksluzive në bazë të ligjit, për ndeshjet e kombëtares, i ka TVSH ja. Por ky institucion nuk ka zbatuar kontratën mes palëve. Në këtë rast FSHF së i lind e drejta të kërkojë një rrugëzgjidhje tjetër. Nëse gjërat do të vazhdojnë kështu, tenderi mund të zhvillohet pas ndeshjes me San Marinon," ka përfunduar sekretari Mici. Shihet qartë se mes dy institucioneve, si edhe dy vjet më parë, ka një përplasje të madhe, që rrezikon të zgjidhet në dyert e gjykatës. Nga njëra anë FSHF ja kërkon respektimin e kontratës me RTSH në dhe për këtë ka shumë të drejtë, dhe nga tjetër është media publike që sipas federatës nuk ka zbatuar kontratën. RTSH duket se nuk i ka paguar paratë për ndeshjet që ka transmetuar, kështu që i takon të bëjë menjëherë pagesat financiare. Nëse ky institucion nuk lëviz edhe për pak kohë, atëherë, ata që do të ndëshkohen janë shqiptarët, të cilët me të gjitha gjasat, nuk do të kenë mundësinë që të ndjekin ndeshjet kombëtare në cdo cep të vendit tonë, pa pagesë.
Olsi Avdiaj