E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klodian Duro, drejt SC Padeborn?

Mesfushori i Tiranës dhe Kombëtares shqiptare, Klodian Duro, mund ta mbyllë aventurën e tij me skuadrën fituese të Kupës së Shqipërisë, që ai fitoi pikërisht me eurogolin e tij të shënuar kundër finalistes tjetër, Vllaznisë (1-0).
Duro, që nuk luajti në ndeshjen e parë të Kupës UEFA të humbur 2-0 kundër skuadrës turke Kajserispor, nuk e ka firmosur ende kontratën e tij të re me rekordmenen e titujve kampionë, Tiranën.
Duro, pati një sezon të diskutueshëm me Tiranën, ku shpesh herë ishte në qendër të kritikave të donatorëve (vecanërisht të Refik Halilit), por dhe të tifozëve ultras kryqytetas, por gjithsesi mbetet një nga lojtarët më cilësorë të Tiranës. Mungesa e tij i kushtoi shumë ekipit bardheblu, që pas dy suksesve me krotatët e NK Varteks Varazhdin, duhet ta shohin veten larg kualifikimit për në turin e tretë të Kupës UEFA.
Duro, është parë në shoqërinë e manaxherit më të sukseshëm shqiptar të FIFA-s, shkodranit Rudi Vata, duke shtuar dyshimet për një largim nga Tirana.
Ditët e fundit u fol për një ofertë nga skuadra greke Apolon Kallamaria, me të cilën kanë nënshkuar gjatë merkatos verore Alban Bushi dhe Romeo Hamzaj.
Një tjetër mundësi është kalimi i Duros në Gjermani te skuadra e Padebornit, menaxherët e së cilës ishtin të pranishëm në Tiranë për të vëzhguar Hamdi Salihin. Pas dështimit me shkodranit, për shkak të formës që tregoi sulmuesi, pista e re e përforcimeve për skuadrën gjermane të Bundesliga 2 pritet të jetë mesfushori Klodian Duro, që më parë ka luajtur në Gjermani në Bundesligën 1 me Armian e Bielefeldin dhe ka përvojë të cmuar ndërkombëtare si në Gjermani ashtu dhe në Turqi.
Operacioni pritet të mbarojë para 25 gushtit, që është edhe afati i fundit i vendosur nga FSHF-ja në lidhje me transferimet dhe nënshkrimet e reja të merkatos.
Nëse Klodian Duro do të luajë për SC Padeborn, atëherë do të jetë shqiptari i dytë i kësaj skuadre pas Mehmet Dragushës që luan aty për dy sezone me radhë.
Franc Hoxha

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›