E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rizvani: Teuta nuk duhet ta humbë ritmin

Nga DORIAN AGOLLI

Portieri durrsak pohon se edhe këtë javë ekipi duhet të marrë patjetër fitoren, pavarësisht problemeve të Dinamos

Pas fitores me Tomorin, të mbajmë ritmin dhe të marrim tri pikë të tjera kundër Dinamos. Kështu shprehet portieri i Teutës, Bledion Rizvani, i cili nga shtatë ndeshjet në kampionat, në gjashtë të tilla nuk ka pësuar asnjë gol, duke qenë deri tani portieri më i mirë i superligës. Sipas tij, fitorja me Tomorin ishte e rëndësishme në disa plane.

Së pari, në planin moral dhe psikologjik, për tu rikthyer me shpejtësi te fitoret pas dy stopimeve, së dyti, të gëzonin dhe të rritnin besimin te fansat e Teutës, që sa vijnë e shtohen, dhe së tretin të mos shkëputeshin nga Tirana, për të vazhduar në pozita kryesuese në tabelë edhe pas javës së shtatë.

Janë kaluar me sukses fushat e vështira të Tiranës, Fierit dhe Beratit, duke treguar se Teuta tashmë është realitet dhe gjykoj se edhe më tej do të mbetet violina e parë e kampionatit, – thekson portieri Rizvani, i cili shton se mund të ketë ulje-ngritje, ndaj rëndësi ka që ato të zbuten dhe të ruhet ritmi i javëve të mira si për lojën, ashtu dhe për rezultatet.

Vijimësia Ne synojmë të ruajmë vazhdimësinë ndeshje pas ndeshjeje, por jo gjithnjë gjërat shkojnë ashtu siç kemi dëshirë, me gjithë impenjimin maksimal të skuadrës. Në jemi në krye të renditjes, ndaj synojmë ta ruajmë këtë pozicion. Dhe kjo arrihet duke marrë një fitore edhe në ndeshjen e ardhshme,- vijon Rizvani, që është një prej portierëve që ka pësuar më pak gola, vetëm tre, madje të gjitha janë pësuar vetëm në një ndeshje, në atë të Shkodrës, ku Teuta u mund 3-1 nga Vllaznia.

Madje portieri Rizvani ka një rekord gjatë këtyre katër javëve, duke e mbajtur portën e tij të paprekur për 370 minuta. Rizvani është i bindur që porta durrsake do të jetë e kyçur edhe ndeshjen e radhës, teksa thotë: Megjithëse dihen problemet që ka kundërshtari, kjo nuk na e ul përqendrimin.

Ne kemi edhe një shans në këtë takim, pasi luhet në fushën tonë, ku ne fitojmë ndaj çdo ekipi. Të gjitha takimet ne i përgatisim me seriozitet, pasi nuk ka asnjë skuadër të dobët. Nuk ka qenë e lehtë në takimet e mëparshme, ndaj nuk do të jetë e lehtë dhe në takimet që do të vijojnë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›