E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysa: Golat janë detyrë për mua, dua trofe me Flamurtarin

Nga ELTON NIKA

Sulmuesi Vilfor Hysa tregohet modest, edhe pse është shënuesi më i mirë te vlonjatët. Ai ëndërron titullin me fanellën kuqezi

Sulmuesi që këtë verë erdhi në radhët e Flamurtarit nga ekipi i Laçit, Vilfor Hysa, duket se kërkon të jetë sërish protagonist absolut edhe me fanellën kuqezi. Dhe pikërisht me golat e tij në ndeshjet e fundit ka qenë deciziv. Ka shënuar golin e tretë në fitoren me Kastriotin në Vlorë, dy golat e fitores me Pogradecin, golin e fitores në kupë me Teutën dhe tashmë me golin e tij në Ballsh i ka dhënë kryesimin Flamurtarit, në atë fitore që do të mbyllej me një tjetër rrjetë të shënuar nga Sakaj.

Vetë sulmuesi i Flamurtarit pranon se është pikërisht për këtë qëllim në Vlorë, të shënojë sa më shumë, por ëndërron mbi të gjitha arritjen e trofeve. Jam i kënaqur jo për golin në Ballsh, por për fitoren. Për golin dua të falënderoj në mënyrë të veçantë sulmuesin tjetër të ekipit, Brkiç, me atë pasim të shkëlqyer që më dha. Tani është radha ime tia kthej reston në ndeshjen e radhës, ku do të shihni se edhe Brkiç do të dalë te goli.

Kemi fituar në Ballsh tri pikë shumë të rëndësishme, por tashmë detyra që kemi përpara është më e vështirë, nga ky ekip presin më shumë dhe ne nuk mund ti zhgënjejmë. Ndaj edhe ndaj Apolonisë rruga jonë e vetme mbetet fitorja dhe për këtë nuk mund të them se ky është një objektiv, por një detyrë shtëpie për Flamurtarin, pohon Hysa.

Golat Sa gola do të shënoj? Unë nuk bëj statistika, jam këtu për ti shërbyer këtij ekipi, që besoi në aftësitë e mia dhe ja tani gjithçka po ecën mirë, ndaj të presim se sa do të jetë numri i golave nga ana ime. Qëllimi që kemi është i përbashkët, për ta çuar sa më lart këtë Flamurtar, ndaj nuk ka rëndësi se kush shënon golin e fitores, mjafton që Flamurtari në fund të çdo takimi të ketë tri pikë më shumë në renditje.

Fitorja në Ballsh tashmë është lënë pas dhe ne mendojmë për takimin e radhës, me Apoloninë. Një kundërshtar që nuk kërkon aspak nënvlerësim, por vlerësim maksimal. Vetëm duke menduar kështu do të shkojmë te fitorja, por unë jam i bindur se kështu do të ndodhë. Do të shënoj sërish unë? Shpresoj, pse jo, goli është diçka e bukur për çdo futbollist, aq më shumë për mua që është edhe një detyrë për rolin që kam, – përfundon sulmuesi i Flamurtarit, Vilfor Hysa.

Tifozët vlonjatë: Ballshiotë, ju shisni ndeshje!

Ka sjellë jo pak reagim deklarata e sportdashsve të Bylisit për etiketimin armiq të sportdashësve të Flamurtarit dhe deklaratën e tyre për shitje të ndeshjes. Grupimet e sportdashësve Dragonjtë Kuq e Zi dhe Flota Kuq e Zi janë ndier natyrisht të indinjuar nga kjo deklaratë, në të cilën shprehen: Flamurtari nuk e ka zakon shitjen apo blerjen e një takimi, këtë shihni tek ekipet e tjera dhe ndoshta te vetja.

Për tifozët e Ballshit ne jemi armiq, një fjalë e rëndë, por që tregon se sa mund të durojnë ata një humbje të merituar në fushën e lojës. Tifozët vlonjatë nuk kanë i konsideruar dhe nuk i konsiderojnë asnjëherë sportdashësit e ekipeve të tjera armiq, madje ju sa herë keni ardhur në Vlorë jeni pritur si miq.

Për këtë pritje që ju kemi rezervuar, ju na keni goditur, sharë apo nuk dihet se çfarë tjetër keni kryer kundër ekipit vlonjat. Këtë e treguat edhe në ndeshjen e fundit. Ju prapë kur të vini në Vlorë do të mirëpriteni, pavarësisht se ndoshta këtë nuk e meritoni, -  përfundon deklarata e grupimeve të sportdashësve vlonjatë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›