Xhafaj: Me Tiranën të marrim hakun e Superkupës
Sulmuesi vlonjat i Skënderbeut flet pas golit të parë me fanellën kuqebardhë dhe beson që me korçarët do të fitojë edhe titullin
Java që sapo kaloi për Skënderbeun do të mbahet mend gjatë jo për atë se kampionët mundën Kastriotin me rezultatin 1-0, por sepse golin e vetëm të fitores e shënoi Daniel Xhafaj, i cili tashmë është zhbllokuar dhe u desh pikërisht java e 7-të që vlonjati të tundte rrjetën me fanellën kuqebardhë.
Stafi teknik dhe presidenca tashmë janë shprehur hapur se nuk ia kanë më merakun Xhafajt, pasi ky lojtar është rikthyer, ndërkohë që tashmë mbetet radha e Muzakës për ta bërë një gjë të tillë. Gjithsesi, pas një kohe shumë të gjatë heshtjeje për mediat, ka qenë Daniel Xhafaj ai që është përzgjedhur nga klubi Skënderbeu si lojtari i vetëm që mund të flasë për mediat për këtë javë. Në fakt, ndaj Kastriotit ishte menduar që krutanët do të jenë si “hajmali” për sulmin e Skënderbeun, pasi një vit më parë u çlirua Brkiç dhe në javën që kaloi u çlirua Xhafaj.
Goli i Xhafajt Pa diskutim që u ndjeva mirë që shënova më së fundi. Ishte një gol që më mundoi shumë dhe u desh java e 7-të që të tund një rrjetë. Ne kemi disa javë që po luajmë një futboll të bukur dhe sigurisht që pas atyre lojërave të bukura, ne prisnim edhe rezultate. Këtë gol ua dedikoj pa diskutim të gjithë shokëve të skuadrës, presidencës korçare, stafit teknik dhe tifozërisë të zjarrtë korçare, që më kanë mbështetur maksimalisht.
Sigurisht, po të jemi më të saktë përpara portave kundërshtare, do të shënojmë shumë më shumë gola. Ai ngërç i javëve të para kaloi dhe Skënderbeu tani është në kuotën e 10 pikëve. Skuadra u kthye që në Durrës, ku mori atë barazim dhe meritonte fitoren, ndërkohë që me Kastriotin, pavarësisht se u shënua vetëm një gol, duhet ta kishim fituar më thellë ndeshjen.
Këtë javë që kaloi mund të them se e konfirmuam edhe një herë që Skënderbeu ndaj ekipeve të forta është i fortë dhe me këto ritme do të vazhdojmë të paktën deri në fundin e fazës së parë. Me këtë skuadër do të ngre patjetër titullin kampion.”
Levi dhe Duro I pyetur në lidhje me atë se si i duket Xhafajt çeku Stanislav Levi dhe çfarë do të thoshte edhe për ish-trajnerin Duro, vlonjati do të pohonte: Për mua, të dy janë trajnerë shumë të mirë. Më vjen shumë keq për trajnerin Shpëtim Duro, që nuk është më pjesë e Skënderbeut, por kështu e ka futbolli. Për sa i përket Stanislav Levit, është një trajner që ka mënyra të tjera stërvitjeje dhe sigurisht që çdo trajner i ri sjell përvoja të reja. Të dy për mua mbeten shumë të mirë.”
Për Tiranën Tirana për momentin ndodhet në krye të superligës dhe është e shkëputur 6 pikë nga ne. Pavarësisht se është kryesuese dhe do të luajmë në kryeqytet, ne nuk u druhemi aspak bardhebluve dhe do të shkojmë për të dhënë më të mirën në fushën e lojës. Kemi një objektiv moral për të marrë këtë herë ndaj Tiranës, pasi na mori Superkupën në Korçë, ndërkohë që ne do ti marrim hakun brenda në Tiranë, – mbyll fjalët e tij vlonjati Daniel Xhafaj.
Skënderbeu i Levit, 5 ndeshje pa pësuar
3 ndeshje për kampionat dhe 2 për kupë, nën drejtimin e çekut, kampionët kanë shënuar 4, pa pësuar gol
Me 2 fitore, 4 barazime dhe vetëm 1 humbje, kampionët e Shqipërisë për momentin qëndrojnë në mesin e tabelës së klasifikimit për superligën, një mes që nuk i ka hije një skuadre me kaq pretendime, por që në 2-3 javët e fundit, Skënderbeu thonë dhe duket nga rezultatet që është rikthyer. Tri javët e “ferrit” për kampionët dhe tri javët e së vërtetës do të fillojnë qysh këtë javë ndaj Tiranës në kryeqytet, më pas do të vijojnë me Flamurtarin në Korçë dhe, së fundi, kampionët do të udhëtojnë drejt Shkodrës, ku do të përballen ndaj Vllaznisë.
270 minuta që do të tregojnë forcën e vërtetë të Skënderbeut. Nëse rezultatet do të jenë pozitive, atëherë do të besohet shumë te titulli, në rast të kundërt, Skënderbeu do të detyrohet të dorëzohet. Por nuk e pranon aspak që të dorëzohet Stanislav Levi, trajneri që ka parashikuar që brenda fazës së parë do të jetë në treshen më të mirë të superligës, por nuk e mohon që mund të kapë edhe kreun.
Një mision i vështirë për Levin dhe djemtë e tij, por këtë do ta tregojë përballja e kësaj jave ndaj Tiranës, që mund të quhet pa frikë përballja mes dy ekipeve pretendente. Mbrojtja Ka më shumë se tri javë që në krye të stolit të Skënderbeut ka mbërritur çeku Stanislav Levi, trajner që duket se po e vendos dalëngadalë në shinat e veta Skënderbeun, por ka premtuar se duhen edhe disa javë për të parë në fushë Skënderbeun e vërtetë.
Deri më sot, Levi në krye të Skënderbeut ka zhvilluar plot 5 ndeshje në krye të pankinës, 3 për kampionat dhe 2 për Kupën e Shqipërisë. 3 fitore dhe 2 barazime janë bilanci i Levit në këto 450 minuta, por ajo që vlen të theksohet është fakti se Skënderbeu ka shumë kohë që nuk pëson gol, madje kryepankina korçare akoma nuk e ka provuar se çdo të thotë të pësosh gol. Mbrojtja duket se është forca më e madhe e këtij Skënderbeu, ndërkohë që sulmi i Levit ka shënuar vetëm 4 gola.
Autobusë falas për ndeshjen ndaj kryesuesve
Për ndeshjen e së dielës, që Skënderbeu do të luajë në “Qemal Stafa” ndaj Tiranës, me shumë gjasa klubi juglindor do të vendosë disa autobusë falas për sportdashësit korçarë. Duke parë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe kundërshtaren, Tiranën, që është skuadra e drejtpërdrejtë rivale e kampionëve, presidenca korçare ka premtuar se do të vendosen autobusë pa limit, pra sa sportdashës do të kenë dëshirë të udhëtojnë drejt kryeqytetit, të gjithë do të kenë mundësi të udhëtojnë falas. Përpos kësaj, ka qysh nga e hëna, pas fitores me Kastriotin, që shoqata Ujqërit e dëborës po u bën thirrje të gjithë tifozëve, kudo që në ndodhen, që të dielën të mos mungojnë në Qemal Stafa, pasi ky është momenti më deciziv që Skënderbeu ka nevojë për përkrahje.
Skënderbeu, sot stërvitje dhe nisja drejt Durrësit
Erdhi momenti që Skënderbeu të lërë sërish qytetin e vet dhe të udhëtojë drejt Durrësit, shtëpisë së dytë të korçarëve. Ditën e sotme, pas një seance stërvitore në orën 11:00, futbollistët dhe stafi teknik do të drekojnë së bashku në orën 13:00 në Korçë dhe në orën 14:00 skuadra do të udhëtojë e plotë drejt Durrësit, për tu akomoduar në mbrëmje në hotel Tropikal në Durrës.
Kjo është axhenda e ditës së sotme për kampionët, ndërkohë që Skënderbeu tashmë sot mbyll përgatitjet korçare dhe do të zhvendoset në Durrës për të vijuar përgatitjet për Tiranën në qytetin bregdetar. Problemi i vetëm në Durrës do të jetë fusha për stërvitje, pasi një javë më parë, Skënderbeu u stërvit në Shijak, ndërkohë që një mundësi stërvitjeje mbetet aneksi i stadiumit Niko Dovana.
Biskup probleme kontraktimi, mund të bëhet
Ekoja që zhvilloi ditën e djeshme kroati i Skënderbeut, Luko Biskup, ka përfunduar me sukses. Ka qenë mjeku i ekipit, Jorgo Pantazi, që dje ka dhënë këtë lajm të gëzuar për mediat në lidhje me lojtarin, ku të gjithë i trembeshin ndonjë tërheqjeje, që do ta mbante gjatë larg fushave, por nuk do të jetë kështu.
Biskup ka vetëm një kontraktim dhe deri të shtunën, një ditë përpara ndeshjes me Tiranën, shpresohet që ai të jetë pjesë e formacionit, pavarësisht se për momentin ndien pak dhimbje. Për sa u përket të tjerëve, gjithçka po shkon mirë dhe deri tani nuk ka asnjë problem me ndonjë dëmtim të mundshëm. E rëndësishme është që sot drejt Durrësit do të udhëtojë i gjithë grupi, madje edhe ata lojt
