FSHF-ja pezullon vëzhguesin Agron Robi
Në fushë ndodhën incidente, ndërkohë që vëzhguesi nuk shkroi asgjë në procesverbal. Kjo i kushton pezullimin. Bëhet fjalë për vëzhguesin e ndeshjes Luftëtari-Besëlidhja, Agron Robi nga Vlora, i cili nuk pasqyroi momentin kur portieri Dura kishte kapur për fyti gjyqtarin e ndeshjes. Portieri u pezullua nga Disiplina për goditje të kundërshtarit me 5 ndeshje dhe një gjobë 50 mijë lekë të reja. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, pasi u informua mbi analizën e pamjeve filmike nga ndeshja e Kategorisë së Parë zhvilluar të shtunën e kaluar, urdhëroi pezullimin e vëzhguesit të FSHF-së, Agron Robi, në atë takim për mospasqyrim real të ngjarjeve të ndodhura në fushën e lojës. Ndërkohë çështja do t’i dërgohet për rishqyrtim Komisionit të Apelit në FSHF. FSHF-ja përfiton nga ky rast për t’ju tërhequr vëmendjen të gjithë gjyqtarëve, vëzhguesve dhe delegatëve, që të jenë sa më korrekt në pasqyrimin e shkeljeve të rregullores dhe ngjarjeve që ndodhin në fushat.
#