FSHF mbyll gjithçka, asnjë masë për dhunën në Peqin
Jetmir Halilaj
Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka marrë asnjë masë përsa i përket incidentit që ndodhi më 20 shtator në ndeshjen Shkumbini-Besa 1-0. “Komisioni i Disiplinës i mbledhur dje në FSHF e pa të arsyeshme për mungesë faktesh dhe pamjesh dhe duke mos pasur ankesë nga klubi “Besa” vendosi të mos marrë asnjë masë në lidhje me këtë çështje”, thuhej në komunikatën e publikuar dje nga Federata. Në këtë mënyrë është mbyllur një nga çështjet më të debatuara të ditëve të fundit.
Ngjarja
Në pushim të ndeshjes Shkumbini-Besa 1-0 të luajtur në stadiumin e Peqinit më 20 shtator, ka pasur një konfrontim fizik mes donatorit të klubit peqinas, Dashnor Sula dhe lojtarit të Besës Bekim Kuli dhe trajnerit të kësaj skuadre, Ilir Daja. Futbollisti i skuadrës kavajase është detyruar të zbresë në fushë në pjesën e dytë me tri të qepura në buzë, ndërsa tekniku i verdhezinjve, Ilir Daja është shoqëruar në komisariatin e policisë dhe është pyetur rreth ngjarjes. Megjithatë, askush nga klubi i Besës nuk ka bërë asnjë ankesë zyrtare në Federatë, në lidhje me incidentin që ndodhi.
Inspektorët
Sektori i garave në FSHF, u kërkoi inspektorëve të Komisionit të Disiplinës një ditë pas incidentit që të mblidhnin informacione mbi ngjarjen dhe të hartonin një relacion të plotë, me qëllim që të hidhej dritë mbi këtë incident. Asgjë e tillë nuk ndodhi, sepse këta inspektorë, ose të quajtur ndryshe prokurorë sportivë, nuk arritën të nxirrnin asnjë fakt konkret që të mund të hidhte dritë mbi këtë çështje. Burime pranë FSHF-së bënë të ditur se, inspektorët kanë shkuar në Kavajë për të marrë në pyetje trajnerin e Besës, lojtarë dhe presidentin e kësaj skuadre, por askush prej tyre nuk ka dashur të prononcohet. Këtu është prerë hovi i dy prokurorëve sportivë, të cilët nuk kanë raportuar asgjë të re në zyrat e FSHF-së. Në këto kushte, Komisioni i Disiplinës nuk ka marrë asnjë vendim me justifikimin se nuk ka prova konkrete për ta bërë një gjë të tillë. Padyshim, që përgjegjësi në këtë rast kanë edhe të dërguarit e FSHF-së në atë ndeshje, vëzhguesi Besnik Kaimi dhe delegati i ndeshjes Astrit Maçi. Asnjë prej dy të besuarve të Federatës nuk ka raportuar asgjë në lidhje me këtë incident. Mungesa e informacionit nga dy përfaqësuesit e FSHF-së është bërë një tjetër shkak për moszbardhjen e kësaj ngjarjeje.