Obama dhe Mekein lobojnë në Senat pro planit “Bush”
Në SHBA pritet rezultati i votimit të Senatit për paketën financiare të propozuar nga Presidenti Bush dhe administrata e tij. Si rrallë herë, dy rivalë të fortë për Shtëpinë e Bardhë mbështetën njëzëri planin e presidentit aktual, Xhorxh Bush. Shtëpia e Bardhë u shpreh optimiste mbi miratimin e planit në Senat për evitimin e kolapsit financiar dhe ekonomik të SHBA-së. Senati ka dhënë shenja për miratimin e planit, që në diskutimet në fund të javës së kaluar, ku ligjvënësit u shprehën se kishin rënë dakord për pjesën më esenciale të planit me administratën Bush dhe pritej vetëm finalizimi i disa detajeve. Paketa financiare prej 700 miliardë dollarësh u refuzua nga Dhoma Përfaqësuese gjatë votimit të së hënës. Në votim morën pjesë edhe dy kandidatët presidencialë për Shtëpinë e Bardhë, Xhon Mekein dhe Barak Obama, të cilët u bënë thirrje ligjvënësve që t’i ringjallin bisedimet për ligjin, dhe u bënë jehonë paralajmërimeve të presidentit Bush se amerikanët e thjeshtë po përballen me katastrofë nëse Kongresi dështon të veprojë, duke lënë të kuptohet qartë se vota e tyre ishte pro planit. “Nuk mund të lejojmë që kriza në sistemin financiar të kthehet në krizë në besimin e konsumatorëve. U bëj thirrje të gjithëve në Uashington të bashkohen në frymën dy-partiake për të zgjidhur këtë krizë”, tha Mekein. Ai u pasua nga Obama me deklaratën se: “Atyre demokratëve dhe republikanëve që e kundërshtuan të hënën planin, u them të marrin mbi vete përgjegjësitë që u takojnë dhe të bëjnë atë që duhet për të mirën e vendit”. Ekonomia pritet të jetë një temë e rëndësishme në debatin e së enjtes mes dy kandidatëve për nënpresident, republikanes Sara Pelin dhe demokratit Xho Biden.
Deklarata e Putin
Kryeministri rus, Vladimir Putin ka kritikuar SHBA-në për “paaftësinë e vendit për t’u marrë me krizën e vazhdueshme financiare”. Putin ka thënë në një takim të qeverisë se çdo gjë e keqe, që ka ndodhur në sferën ekonomike dhe financiare ka nisur në SHBA. Ai tha se tani SHBA nuk është e aftë që të ndërmarrë “vendime të duhura”. Sipas tij, Putin tha se kjo tregon për papërgjegjësi të tërë sistemit, i cili pretendonte udhëheqje globale.
BE mbi krizën financiare
Katër fuqitë më të mëdha ekonomike evropiane: Franca, Britania, Gjermania dhe Italia do të takohen të shtunën në Paris për të biseduar mbi krizën financiare globale. Takimi është kërkuar nga presidenti francez Nicolas Sarkozy, vendi i të cilit kryeson presidencën e radhës të BE-së. Ndërkohë, presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso tha se qeveritë evropiane duhet të punojnë më ngushtë me njëra-tjetrën në përpjekje të stabilizojnë sistemet financiare të goditura nga krizat globale. Aksionet bankare kanë rënë në Evropë në ditët e fundit dhe qeverive u është dashur të veprojnë për të shpëtuar disa institucione bankare.