E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: Nuk jam pro ndarjes së Kosovës, jam keqkuptuar

 

Bashkimi Evropian është shprehur kundër ndarjes së Kosovës, një opsion i ofruar si mundësia e fundit nga presidenti Tadicc vetëm një ditë më parë. Kancelarja e Gjermanisë, Anxhela Merkel e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes së Kosovës. Komentet e saj u bnë publike pas takimit me Tadiçin në Berlin. Ndërkohë lideri serb, Tadiç i cili të martën kishte thënë se ndarja është një opsion, në Berlin ka thënë se është keqkuptuar. Sipas kancelares Merkel, Gjermania është po shqyrton nëse duhet përkrahur ose jo nisma serbe në OKB-së për të kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtar të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. “Ne ende jemi në bisedime për këtë. BE dhe Gjermania ende po punojnë në atë se si të votojnë”, tha Merkel. Në lidhje me deklaratat e Tadiçit, dje reagoi edhe administrata e UNMIK-ut. Zëdhënësi i kësaj administrate, Alexander Ivanko, tha se statusi i Kosovës tashmë është i zgjidhur, kurse ndarja nuk është opsion. “Qëndrimi ynë gjithmonë ka qenë i qartë. Ky qëndrim nuk ka qenë vetëm i yni, por edhe i Grupit të Kontaktit. Nuk duhet të ketë ndarje të Kosovës dhe nuk kemi çka diskutojmë për këtë çështje”, tha Ivanko. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht, dhe janë të kota të gjitha përpjekjet për ndarjen e saj. “Dihet qëndrimi ynë i qartë. Ne jemi shtet dhe të gjitha të tjerat janë përpjekje të kota”, ka theksuar Sejdiu në lidhje me deklaratën e Tadiç. Ndërsa kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi tha, se kjo nuk është përpjekja e parë e Serbisë, për të ndarë Kosovën. “Megjithatë, Kosova i ka kufijtë e saj, të cilët gjithnjë e më tepër po pranohen. Mendoj se proceseve në Ballkan dhe në Evropë nuk iu duhet rishkrimi i kufijve”, ka deklaruar Krasniqi. Kryeministri Thaçi e vlerësoi deklaratën si marrëzia e liderit serb.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›