FSHF miraton "ndriçimin" e stadiumeve
Në janar të vitit të ardhshëm do të nisin punimet për pajisjen me sistem ndriçimi disa nga stadiumet e qyteteve më të mëdha në Shqipëri. Komiteti Ekzekutiv i Federatës, ka shpallur fitues të tenderit firmën zvicerane "Green Field", e cila do të kryejë punimet për pajisjen me sistem ndriçimi të stadiumeve të Elbasanit, Vlorës, Durrësit, Fierit dhe Kavajës. Në njoftimin zyrtar të Federatës nuk bëhet e ditur se kur do të fillojnë punimet, sa është vlera e investimeve dhe kur do të përfundojnë përfundimet. Burime pranë institucionit të futbollit, bënë të ditur se punimet do të nisin në janar të vitit të ardhshëm dhe do të zgjasin rreth tetë muaj. Vlera e këtij investimi, të financiar nga UEFA, është afërsisht një milion euro. Ndërkaq, firma do të kryejë punimet për instalimin e 12 fushave të futbollit me bar artificial në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Edhe ky është një financim i UEFA-s, i quajtur "Hattrick 2 UEFA". Vlera totale e investimeve për instalimin e impianteve të ndriçimit dhe për ndërtimin e 12 fushave të futbollit është rreth 2.5 milionë euro. Aktualisht dy stadiumet shqiptare të pajisura me impiante ndriçimi janë "Qemal Stafa" në Tiranë dhe "Loro Boriçi" në Shkodër.