E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca firmos MSA, ngelet vetëm Greqia

 

ADI SHKEMBI

Franca ratifikon Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit e Ministrisë së Integrimit, e cila përmes një njoftimi për shtyp thekson, se senati francez mbylli dje të gjitha procedurat e kësaj marrëveshje. "Senati francez ka votuar sot në mënyrë unanime Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë, duke çuar kështu në 24 numrin e vendeve anëtare të BE-së, që kanë përmbyllur të gjitha procedurat e ratifikimit të Marrëveshjes. Në një seancë solemne ku merrte pjesë dhe ambasadori ynë në Francë, është vlerësuar pozitivisht ecuria e vendit në rrugën e reformave që dikton procesi i integrimit në BE, thuhet në njoftimin për shtyp. Në këtë mënyrë Greqia mbetet vendi i fundit që nuk ka ratifikuar ende Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Sipas Ministrisë së Integrimit pas përfundimit të procedurave të ratifikimit të MSA-së nga të gjitha vendet, Tirana zyrtare mund të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat. "Pas Francës, ratifikimi i MSA-së pritet të përfundojë edhe nga parlamenti grek, ndërmarrje kjo që do t'i japë fund gjithë procesit të ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare. Pas kësaj do të hyjë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e nënshkruar mes BE-së dhe Shqipërisë dhe vendi ynë do të aplikojë për statusin e vendit kandidat", thuhet më tej në njoftimin për shtyp.
Greqia
Vendi fqinj ngelet në këtë mënyrë i fundit i anëtarëve të Bashkimit Evropian, që nuk ka ratifikuar ende MSA-në. Athina zyrtare e ka argumentuar vonesën në ratifikimin e dokumentit me procedurat burokratike, duke mohuar që të ketë shkaqe të tjera. "Eshtë çështje procedurale arsyeja dhe besoj, se shumë afër do të kemi përparësi të shpejtë me miratimin e kësaj çështjeje", deklaroi Kumucaku pak kohë më parë, pas interesimit të gazetës "Panorama" se cilat janë arsyet, që kanë penguar Greqinë të mos marrë akoma vendimin e ratifikimit të MSA-së së Shqipërisë me BE-në. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe zyrtarët shqiptarë. Kryeministri Berisha tha në një konferencë për shtyp, se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe nga pala greke nuk ka asnjë kusht për ratifikimin e MSA-së. Ndonëse nuk ishte pohuar asnjëherë zyrtarisht, kushti i Greqisë për ratifikimin e MSA-së ishte ndërtimi i varrezave për ushtarët grekë të rënë në tokën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por edhe ky kusht i palës greke u plotësua pak ditë më parë, kur Tirana dhe Athina nënshkruan një marrëveshje sipas së cilës, në Gjirokastër dhe Këlcyrë do të ngrihen dy varreza për ushtarët grekë.

MSA

E kanë ratifikuar
Austria
Belgjika
Britania e Madhe
Danimarka
Estonia
Finlanda
Franca
Gjermania
Hollanda
Hungaria
Irlanda
Italia
Letonia
Lituania
Luksemburgu
Malta
Polonia
Portugalia
Qipro
Çekia
Sllovakia
Sllovenia
Spanja
Suedia

Nuk e ka ratifikuar Greqia

NATO

E kanë ratifikuar
Turqia
Hungaria
Letonia
SHBA
Lituania
Polonia
Rumania
Bullgaria
Sllovakia.

Nuk e kanë ratifikuar
Belgjika
Kanadaja
Çekia
Danimarka
Estonia
Franca
Gjermania
Greqia
Islanda
Italia
Luksemburgu
Holanda
Norvegjia
Portugalia
Sllovenia
Spanja
Britania e Madhe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›