Kievo do Balotelin, Bogdani drejt largimit
Skuadra e Kievos është në kërkim të një sulmuesi që të mund të japë garanci në repartin ofensiv dhe krerët e klubit veronez synojnë të marrin Balotelin e Interit. Bëhet fjalë për ta huazuar lojtarin për gjysmën tjetër të sezonit, pasi vetë drejtori sportiv i Kievos, Luixhi Sartori, ka thënë se është e pamundur që klubi veronez të blejë kartonin e Balotelit. "Po, është e vërtetë, do të na pëlqente të kishim Balotelin në skuadër, madje jemi në bisedime me Interin - ka thënë Sartori. - Por harrojeni se mund të blejmë kartonin e tij, pasi ka një çmim stratosferik për ne. Duam thjesht ta huazojmë për gjashtë muajt e ardhshëm". Ndërkaq, e përditshmja "L'Arena" bën të ditur se bomberi i përfaqësueses shqiptare, Erjon Bogdani, është duke bërë gati valixhet dhe se mund të largohet nga Kievo që në merkaton e janarit. Bogdani ka edhe një vit e gjysmë kontratë me klubin veronez.