Izolohet veriu, të bllokuarit evakuohen me helikopterë
Dëbora bllokoi natën e së mërkurës 20 mjete në Qafë Mali. Pasagjerët, mes të cilëve edhe gra dhe fëmijë, u rrezikuan nga ortekët dhe nga ngrica. Vetëm dje rreth orës 10:30 u normalizua disi situata, por gjatë pasdites sërish akset e Kukësit dhe të Pukës u bllokuan. Edhe zinxhirët janë pa dobi. Në Qafë Mali, trashësia e borës dje arriti në 2 metra, ndërsa në Pukë 1 metër. Rruga nacionale Morin-Kukës-Tiranë është e kalueshme me vështirësi, por disa herë bllokohet. Të bllokuara janë dhe akset Kukës-Dibër, Bajram Curri -Fierzë- Qafë Mali, ndërsa komunat janë të izoluara. Katër helikopterë evakuuan disa banorë të bllokuar në Qafë-Malit, një të sëmurë nga Kukësi dhe një person tjetër nga Qafë-Prushi. Dëbora krijoi probleme edhe për 180 mijë banorët e Dibrës. Komunat e bllokuara deri në 80 cm borë është Lura, Kalaja e Dodës, Martaneshi, Macukulli, Xibra etj. Moti shkakton probleme edhe në Shkodër. Në Malësi të Madhe mungon energjia. Shkollat kanë pezulluar mësimin në shumë zona, kryesisht në Koplik, Vermosh, Kelmend, Selcë, etj. Shumë prej akseve janë të pakalueshme. Ndërsa në Mirditë, janë bllokuar rrugët e fshatrave. Komunat Kthellë, Fan dhe Orosh janë të izoluara. Probleme ka edhe në aksin Rrëshen- Kurbnesh por edhe në mjaft rrugë të tjera. Mbrëmjen e së mërkurës, dëbora bllokoi disa mjete edhe në Llogara. Policia dje nuk lejoi asnjë mjet të lëvizte në këtë aks. Situata e përkeqësuar paraqitet edhe në Qafën e Muzinës si dhe disa komuna në Gjirokastër e Përmet. Gjithashtu, në Librazhd, Elbasan dhe Korçë, moti ka shkaktuar kaos duke sjellë probleme edhe në akset nacionale.