E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Fëmija nuk do abortohet

 

ELBASAN/ ALDI KOZARIA

Fëmija i ngjizur nga përdhunimi i dy kushërinjve do të lindë. Policia e Elbasanit u ka pohuar prindërve të 17-vjeçares N.Ç., se aborti nuk mund të kryhet në prag të muajit të 8-të të shtatzënisë, pasi konsiderohet vrasje. Në këtë mënyrë lindja e fëmijës e analiza e ADN-së pritet të hedhë dritë saktësisht mbi të atin e tij. Ngjarja e rëndë e ndodhur në një fshat të thellë të Gracenit 7 muaj më parë dhe e zbuluar ditët e fundit ka tronditur prindërit e adoleshentes e mbarë opinionin. Kjo dhe për faktin se personat që ajo ka akuzuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të janë dy djemtë e xhaxhait të saj. Zbulimi i këtij fakti prej prindërve të vajzës, sapo ajo mbushi 7 muaj të ngjizjes së fëmijës, ka vënë në lëvizje dhe policinë dhe Prokurorinë e Elbasanit. Ata kanë marrë në pyetje familjarët e vajzës, të cilëve u kanë komunikuar faktin se tashmë nuk duhet të insistojnë për abortin, pasi mund të akuzohen për vrasje. Sipas policisë, vajza deri tani po mbahet nën kontrollin e rreptë nga ana e një psikologu, i cili për shkak të largësisë me fshatin ku jeton ajo, kryen vazhdimisht telefonata. Pas afro dy javësh vajza pritet të transferohet nga shtëpia e saj në ambientet e maternitetit të Elbasanit, pasi pritet që brenda një kohe të shkurtër të sjellë në jetë fëmijën. Deri tani, policia ka vënë nën akuzë dy kushërinjtë. E. dhe B. Çullhaj, 15 dhe 18 vjeç, për përdhunimin e të miturës, bazuar në dëshminë e adoleshentes. Megjithatë, ndo-nëse ka dyshime se fëmija mund të jetë dhe fryt i një marrëdhënie të vajzës me një tjetër person, kjo nuk mund të verifikohet deri në kryerjen e analizave gjenetike. Gjatë ditës së djeshme, policia ka marrë në pyetje dhe kushëririn e saj adoleshent, në prani të së atit dhe një psikologu. Ai mësohet se e ka mohuar kategorikisht akuzën, duke mos pranuar në asnjë moment që të ketë kryer marrëdhënie me kushërirën. Ndërkohë, djali tjetër i familjes ndodhet në Greqi, ku prej 6 muajsh është në burg me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim të disa vilave në Athinë. Kjo çështje pritet të mbetet pezull, deri në përgjigjen e ekspertëve të mjekësisë, se cili është babai i fëmijës, për të fundosur ose për të çliruar përfundimisht nga akuza dy djemtë. Deri tani ata akuzohen për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›