E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria mbyll galeritë e rrezikshme

 

BULQIZE - Ministri Genc Ruli urdhëron mbylljen e 20 subjekteve minerare dhe një pjesë të minierës koncesionare. Urdhri ka mbërritur dje në qytetin e Bulqizës dhe u është komunikuar pronarëve të subjekteve të licencuara. Sipas burimeve, ky urdhër vjen për galeritë e zonës "D" dhe zonës së parë në masivin mineralmbajtës të Bulqizës. Ngjarjet e shumta, konfliktet deri në përdorimin e armëve të zjarrit, vjedhjet mes subjekteve të ndryshme, etj, kanë ndikuar që ministri Ruli të bllokojë minierat e rrezikshme në këtë rreth. Burime pranë minierës kryesore, pronë e firmës koncesionare Albanian Krom, ACR, bënë të ditur se ministria penalizon 21 subjekte private në zonën e parë dhe një pjesë të minierës koncesionare. Të njëjtat burime saktësojnë se urdhri i ministrit lidhet me realizimin e një studimi për nivelin e rrezikshmërisë në minierat e zonës "D" dhe zonës së parë të minierave të kromit Bulqizë. Kjo bën që 75 punëtorë të ndërpresin punën në këtë zonë, megjithatë autoritetet e minierës thonë se kjo fuqi punëtore do të transferohet për në sektorë të tjerë të Pusit 1. Pra, urdhri do të zbatohet dhe punëtorët nuk do të mbeten të papunë. Prej kohësh sindikata e minatorëve është ankuar në METE dhe institucione të larta shtetërore, në lidhje me zaptimin e një pjese të minierës koncesionare nga subjektet private.                                      h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›