E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF nis hetimin për Kamza-Turbina e Elbasani-Bylis



Leonard Karaj

Federata Shqiptare e Futbollit do të nisë hetimet për ndeshjet Kamza-Turbina dhe Elbasani-Bylis. Dy ndeshjet dyshohet se janë manipuluar qëllimisht nga protagonistët në fushën e lojës.
Pas shumë akuzash dhe deklaratash në media, por jo vetëm, Komisioni i Disiplinës në FSHF ka vendosur dje në mbledhjen e radhës që të hetojë ndeshjet Kamza-Turbina dhe Elbasani-Bylis. Ky komision ka ngarkuar inspektorët e Disiplinës të federatës që të bëjnë hetime për këto ndeshje, mbi një manipulim të rezultatit për sigurim të avantazheve në klasifikim. Relacionet e Inspektorëve të Disiplinës të paraqiten deri në mbledhjen e ardhshme të komisionit, i cili mund të mblidhet në fund të kësaj jave, ose në fillim të javës tjetër. Dy takimet e javës së fundit të Kategorisë së Parë përfunduan me goleada, ashtu sikundër u interesonte në një farë mënyre protagonistëve. Kështu, Kamza shënoi plot 10 gola në portën e Turbinës, por ajo që bëri më shumë përshtypje ishte fakti se ekipi i Perlat Mustës shënoi 7 gola në harkun e 12 minutave të fundit të lojës, duke krijuar jo vetëm dyshime të mëdha, por edhe një ilaritet më shumë se qesharak. Në të njëjtën kohë edhe në Elbasan hapeshin dy portat dhe ndeshja përfundonte 8-4. Këtu, veç golave të skuadrës vendëse, duheshin edhe golat për sulmuesin e Bylisit, Romeo Hamzai, me qëllim që ai të mund të dilte golashënuesi më i mirë i kampionatit. Faktikisht, Kamzës së vendit të tretë i duhej një fitore me goleadë për të kaluar në renditje Elbasanin e vendit të dytë, me qëllim që të ngjitej në Superiore pa dashur që të luajë ndeshjet “play-off”. Mirëpo këtë hile e kuptuan më së miri edhe drejtuesit verdheblu, ndaj edhe ata bënë të njëjtën gjë në përballjen e tyre në Elbasan ndaj Bylisit. Tashmë u mbetet inspektorëve të Disiplinës që të vërtetojnë nëse këto rezultate ishin fiktive dhe të manipuluara. Por, edhe pas nisjes së këtij hetimi, ekziston një lloj skepticizmi, pasi edhe sezonin e kaluar federata pati nisur hetim për ndeshjet e Superiores (Shkumbini-Bylis 0-2), por pa dalë në një konkluzion dhe pa mundur që të ndëshkojë askënd.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›