E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, kapen me drogë në shkollë 9 studentë



TIRANE - Nëntë studentë të Fakultetit të Drejtësisë, në një universitet privat, u arrestuan mbrëmë gjatë një operacioni të Antidrogës së Tiranës, të koduar "Bulevard". Aksioni i policisë filloi mesditën e djeshme, pranë Universitetit , që ndodhet në Bulevardin "Zogu i Parë" dhe përfundoi në mbrëmje, me 9 të rinj të arrestuar, mes tyre edhe një vajzë 18-vjeçare. Policia tha se gjatë aksionit u sekuestrua edhe rreth 2 kilogramë kanabis. Burime nga policia thanë se në pranga përfunduan, Klevis Malaj, 19 vjeç, Xhoana Guçe, 18 vjeç, Alban Belulaj, 20 vjeç dhe Ergus Hasa, 20 vjeç, të katër nga Berati dhe studentë në Tiranë. Gjithashtu u arrestuan edhe Armand Beaj, 22 vjeç, nga Fieri, Albano Kolonjari, 20 vjeç, nga Lushnja, Ervin Taullau, 27 vjeç, nga Lushnja, Gerin Hasaj, 20 vjeç nga Fieri, si dhe Gjergj Ndini, 20 vjeç nga Lushnja. Sipas policisë, në momentin e ndalimit, studentëve iu sekuestrua sasia prej rreth 2 kilogramë bimë narkotike, e dyshuar kanabis sativa, 10 telefona celularë, si dhe një shumë e konsiderueshme parash. Të rinjtë mbaheshin në vëzhgim prej disa javësh dhe oficerët e Antidrogës, kishin mundur që për kaq kohë të siguronin provat e nevojshme, që implikonin ata në prodhimin dhe shitjen e bimës narkotike, në fakultetin ku ata studionin, por edhe në zona të tjera të kryeqytetit. Sipas të dhënave hetimore, bima narkotike sigurohej në qytetet e origjinës së studentëve dhe ata e transportonin më pas drejt Tiranës, ku edhe e tregtonin. Fillimisht u arrestua dy prej studentëve, të cilët u kapën me disa qese me bimë narkotike, në një lokal pranë Universitetit privat. e.d.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›