E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSK-ja në përbërje edhe pakica

Prishtinë – Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota tha se rreth 10 për qind e pjesëtarëve të forcës së re të sigurisë do të jenë nga radhët e pakicave. Ai tha se qeveria synon që të emërojë një zëvendësministër të Forcës së Sigurisë nga komuniteti Serb. Shumica e serbëve në Kosovë janë kundër themelimit të forcës së re të sigurisë dhe thonë se pranimi i saj, do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ministria e Forcës së Sigurisë është shprehur e kënaqur me interesimin e komuniteteve pakicë, përfshirë atë serbe për të qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo forcë do të fillojë zyrtarisht misionin e saj më 21 janar, ndërsa një ditë më herët do të bëhet shpërbërja e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Forca e re e sigurisë do të jetë e përbërë nga 2500 pjesëtarë aktiv dhe 800 rezervë të armatosur lehtë. Ajo nuk do të jetë ushtri dhe rolin kryesor për sigurinë në Kosovë do të vazhdojnë ta kenë trupat paqeruajtëse të NATO-s.

"Deri tani sipas disa të dhënave preliminare është një përqindje e kënaqshme e pjesëtarëve të komuniteteve që kanë konkuruar për të qenë pjesë e Forcës së Sigurisë. Besoj që do të kemi një prezencë të komuniteteve pakicë afërsisht 10 përqind brenda Forcës së Sigurisë", deklaroi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›