FSK, nis trajnimi i 300 pjesëtarëve të parë
300 pjesëtarët e parë të Forcës së Sigurisë së Kosovës filluan dje trajnimin elementar. Kjo forcë sigurie do të ketë 2 800 pjesëtarë aktivë, 500 rezervë dhe është ngritur sipas kritereve dhe standardeve të NATO-s. Nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), të cilat janë deaktivizuar më 20 janar, në FSK kanë kaluar rreth 1 400 pjesëtarë, ndërsa konkursi për pranimin është i hapur. “Procesi i rekrutimit, i verifikimit dhe i përzgjedhjes për FSK-në është në përputhje me standardet e NATO-s. KFOR-i ka bashkëpunuar me Ministrinë e FSK-së për zhvillimin e këtij procesi. Faza e parë e këtij procesi ka qenë e përqendruar te anëtarët e TMK-së, të cilët kanë dashur të aplikojnë për FSK-në dhe rekrutimi për kandidatët nga shoqëria civile po vazhdon në gjithë Kosovën”,- njoftoi KFOR-i përmes një komunikate. Niveli i parë përfshin trajnimin për instruktorë të FSK-së, i cili mendohet të zgjasë nëntë javë; niveli i dytë përfshin trajnimin e eprorëve të gradave “major” dhe “nënkolonel”, që zgjat katër javë; dhe niveli i tretë përfshin pjesëtarët nga grada “kapiten” deri të ”nëntoger”, që zgjat katër javë. Trajnimi i pjesëtarëve të FSK-së do të drejtohet dhe zbatohet nga instruktorët e KFOR-it, sipas standardeve të përcaktuara nga NATO-ja.
Gjukanovic: “Së shpejti marrëdhënie diplomatike me Kosovën”
Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ka deklaruar se marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën do të vendosen në një të ardhme të afërt. “Mali i Zi nuk është Amerikë dhe nuk mund t’i ketë ambasadorët dhe konsujt kudo në botë. Pa dyshim, rajoni është një prej prioriteteve tona dhe Kosovës do t’i vijë radha”, - ka deklaruar Gjukanoviç gjatë një interviste për agjencinë “Beta”.
Ndër të tjera, kryeministri malazez ka theksuar faktin se Podgorica zyrtare kërkon që malazezët në Kosovë do të kenë të drejtë të fitojnë trajtimin e përshtatshëm, ashtu siç e kanë kosovarët në Malin e Zi. “Më duket se porositë janë shkëmbyer nga të dyja palët dhe se nuk ka ndonjë arsye për ndalim në normalizimin e marrëdhënieve mes të Malit të Zi dhe Kosovës”, - ka thënë Gjukanoviç.
3 Shkurt 2009