Hamasi pranon armëpushimin, Izraeli sulmon sërish Gazën
Hamasi ka pranuar propozimin egjiptian për armëpushim njëvjeçar me Izraelin, por me një kusht: që pikat kufitare në Rripin e Gazës të mbeten të hapura. Lajmi u bë i ditur nga një zëdhënës i lëvizjes, Fauzi Barhum. “Jemi dakord për armëpushimin njëvjeçar”, - tha ai, pa përjashtuar hipotezën e zgjatjes së tij në 18 muaj. Hamasi kërkon që të qëndrojnë të hapura të gjitha pikat e kalimit të kufirit, përshirë edhe Rafahun dhe heqjen e bllokadës izraelite. Megjithatë, Izraeli, edhe pas vendimit të Hamasit, ka ndërmarrë një numër sulmesh ajrore kundër caqeve në Rripin e Gazës. Burimet izraelite thanë se kanë goditur një kompleks sigurie të Hamasit në Gaza dhe tunelet, që përdoren për furnizim me armë nga Egjipti. Sulmet ndodhën pas plagosjes së tre izraelitëve, një prej të cilëve civil nga sulmet me raketa nga Rripi i Gazës. Armëpushimi në Rripin e Gazës edhe më tej mbetet i brishtë. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, deklaroi dje se Izraeli nuk ka planifikuar një tjetër luftë në Rripin e Gazës, edhe pse kreu një sulm ajror në kundërpërgjigje të raketave palestineze. “Nuk është në qëllimet tona një operacion i dytë. Thamë që do ketë një përgjigje dhe ajo erdhi”,- tha Barak në një intervistë. Fjalët e tij bien ndesh me ato të ministres së Jashtme, Tzipi Livni, e cila tha se nëse do të jetë e nevojshme, do të ketë një ofensive të re në Gaza.
Sulm vetëvrasës në Afganistan, vriten 21 policë
21 oficerë policie kanë mbetur të vrarë në Afganistan, pasi një militant vetëvrasës i maskuar si polic shpërtheu një bombë në jug të vendit. Militantët talebanë morën përsipër përgjegjësinë për këtë sulm në kryeqendrën e provincës Uruzgan, Tirin Kot.
Personi që kreu sulmin ishte i veshur me uniformë policie. Uruzgani është një ndër provincat e prekura më rëndë nga sulmet e militantëve talebanë në jug të Afganistanit. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët bëri të ditur se shefi i zyrës së saj rajonale në qytetin Kueta, në jugperëndim të Pakistanit, është rrëmbyer nga persona të armatosur. Policia tha se ai u rrëmbye teksa po shkonte në punë, ndërsa shoferi i tij u vra me armë zjarri. Kjo zonë konsiderohet si bazë për militantët talebanë, që kryejnë luftime në Afganistanin fqinj.
3 Shkurt 2009