Shkatërrimi i banesave nga tritoli, reagon kryefamiljari
Mirditë - Një shpërthim ka shkatërruar plotësisht dy banesa në fshatin Zall-Xhuxhë të Komunës së Fanit. Banesat ndodheshin shumë pranë njëra-tjetrës dhe në to banonin pjesëtarë të familjes Biba. Frrok Biba, rreth të 40-tave, tha: “Me të dëgjuar se mbi banesën në të cilën jetojnë familjarët e mi, përfshirë edhe vajza gjashtëvjeçare, kishin rënë gurë pas një shpërthimi tritoli, dhe ajo ishte shkatërruar, kam lënë menjëherë punën ku punoja në Greqi dhe kam ardhur me të shpejtë në shtëpinë time”. Por ai nuk u ka besuar syve kur ka parë çatitë e shtëpive të shkatërruara dhe që pikonin në çdo dhomë. “Në mënyrë të menjëhershme kam marrë nënën 84-vjeçare dhe e kam çuar për të banuar në fshatin Domgjon po në Komunën e Fanit, tek motra që e kam të martuar në këtë fshat. Së bashku me nënën kam çuar aty edhe një motër që e kam të sëmurë, ndërkohë që një pjesë tjetër të familjes, përfshirë edhe vajzën gjashtë vjeçe, e ka strehuar në një shtëpi me qira në qendër të Komunës së Fanit. Edhe pse kanë kaluar 30 ditë nga ngjarja, situata në banesë është mjaft e rëndë. Çatia është çarë nga rënia e gurëve dhe shumë të tillë ende ndodhen në tavan. Disa prej tyre kanë rënë në dyshemenë e dhomave. të cilat janë në një situatë të rrëmujshme. Banorët thonë se kanë frikë të hyjnë brenda për të bërë ndonjë sistemim. Tashmë dhomat janë mbushur me ujë, përveç njërës prej tyre në të cilën herë pas here mblidhen të gjithë.
Fëmija 9-vjeçar një javë i zhdukur, asnjë informacion për vendndodhjen e tij
Mirditë - Nesër mbushet një javë nga dita kur 9-vjeçari Olsion Gega u zhduk nga fshati i tij. Me gjithë përpjekjet e shumta, askush nuk ka asnjë informacion për fatin e tij. Gjendja mjaft e rënduar ekonomike e familjes, mungesa e të atit, i cili ka humbur jetën aksidentalisht disa vite më parë, ka bërë që edhe kërkimet të mos jenë në ritmin e duhur. Madje, prej dy ditësh, askush nuk është parë në shpatin e malit përveç nënës së tij, të shoqëruar nga fëmijët e tjerë të saj. Për banorët e fshatit Dardhas në Komunën e Fanit janë shuar shpresat për gjetjen e fëmijës 9-vjeçar. Policia dhe banorët e fshatit janë tërhequr nga kërkimet e mëtejshme, duke ia lënë rastësisë gjetjen e Olsionit. Burime nga fshati Dardhas i Komunës së Fanit konfirmojnë se janë kërkuar të gjitha pyjet dhe përrenjtë e zonës, por nuk është parë asnjë shenjë e fëmijës. Të njëjtën gjë ka bërë edhe policia e Mirditës, e cila është tërhequr nga kërkimet në terren. Në rrugë nuk ka postblloqe me foto të fëmijës pasi dyshimet e deritashme janë se ai është aksidentuar dhe mund të jetë pa jetë në pyllin e fshatit të tij. Madje, nga dita në ditë po shtohen dyshimet se fëmija mund të ketë rënë viktimë e ndonjë kafshe të egër, që, pas të ftohtit të ditëve të fundit, janë afruar shumë pranë qendrave të banuara. Olsion Gega, fëmija 9-vjeçar i klasës së tretë të shkollës së Dardhasit, në orët e mesditës së mërkurë së bashku me qenin e tij ka dalë nga banesa për të shoqëruar xhaxhain e tij, i cili shkonte në mal me bagëti. Pasi e ka kaluar xhaxhanë për rreth 2-3 km në mal, ai është kthyer për në banesë por nuk ka mbërritur. Nëna e tij ka menduar se mos Olsioni kishte qëndruar me xhaxhain dhe nuk e ka vënë alarmin deri vonë. Por me të mbërritur xhaxhai në shtëpi është dhënë alarmi për humbjen e fëmijës.
Vdes minatori i 19-të në Bulqizë, këtë radhë nga infarkti
Bulqizë - Një tjetër minator i Minierës së Bulqizës ka gjetur vdekjen. Ka qenë ora 16:00 e ditës së djeshme kur 44-vjeçari e ka humbur betejën për jetën duke e çuar në 19 numrin e minatorëve që kanë gjetur vdekjen vetëm dy vitet e fundit në Bulqizë. Burime të informacionit nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se ndërsa ka mbaruar turnin e punës dhe po dilte nga galeria, 44-vjeçari Enver Karaj ka filluar të ndiejë shqetësimet e para. Ai ka
kërkuar edhe ndihmën e minatorëve të tjerë kur u ka thënë se nuk ndihej mirë dhe kishte shtrëngime në gjoks dhe marrje fryme. Kanë qenë shokët e tij që e kanë dërguar në Spitalin e Bulqizës. Bluzat e bardha nuk kanë mundur t’i japin ndihmën e parë pasi ai kishte ndërruar jetë pa mbërritur në spital. Sipas ekspertizës së mjekëve të këtij spitali, vdekja e minatorit Karaj ka ardhur si rezultat i një infarkti akut. Enver Karaj, babai i tre fëmijëve, humbi jetën ndërsa punonte si përgjegjës i mekanikëve të vagonëve të minierës për më shumë se një vit dhe ishte anëtar i Sindikatës së Minatorëve të Bulqizës.
3 Shkurt 2009