E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat Prishtinë-Beograd, ndërkombëtarët plane për takimin

Në takim do të diskutohen çështjet e interesit të përbashkët të Kosovës me Serbinë. Bisedimet me zyrtarët serbë do të zhvillohen brenda këtij muaji

Blerina Olldashi
Kosova, brenda muajit, do të zhvillojë bisedime me Serbinë. Takimi me autoritetet serbe do të mundësohet nga tre udhëheqësit e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë: përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Piter Feith, ai i misionit EULEX, Iv de Kermabon, si dhe shefi i misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Lamberto Zanieri. Tre autoritetet e larta ndërkombëtare synojnë që në këtë takim të diskutohen çështjet e interesit të përbashkët të Kosovës me Serbinë. Sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, ky takim i nivelit të lartë me zyrtarët serbë paralajmërohet se do të zhvillohet brenda këtij muaji. Gjatë kësaj jave shefi i UNMIK-ut, Zanieri, do të takohet me shefin e misionit europian për Drejtësi dhe Polici, Iv de Kermabon, për të harmonizuar qëndrimin rreth vizitës së mundshme në Beograd.
Më pas ai do t’i njohë udhëheqësit kosovarë me rekomandimet që ka marrë nga Nju Jorku për procesin negociator mes Prishtinës dhe Beogradit. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, deklaroi se Zanieri, gjatë kësaj jave do të takohet me liderët vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë për të diskutuar për mundësinë e fillimit të bisedimeve me Beogradin rreth gjashtë pikave të raportit të sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun. Ende nuk është bërë e ditur se ku do të zhvillohet takimi, megjithatë, këta zyrtarë janë shprehur se ka pak gjasa që takimi i nivelit të lartë të zhvillohet në Beograd, duke marrë parasysh pozitën e përfaqësuesit të BE-së, Piter Feith, në Kosovë dhe përgjegjësitë që ai mban. Kjo për faktin se Feith udhëheq edhe me Grupin Drejtues Ndërkombëtar, organ ky i krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për ta ndihmuar atë në zbatimin e planit “Ahtisari”, që është kundërshtuar nga serbët lokalë. Autoritetet serbe, megjithatë, po mundohen me çdo kusht të pengojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera dhe anëtarësimin e saj në organizatat e ndryshme. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, pas takimit me ministren e Jashtme greke, Dora Bakojani, e cila zhvilloi një vizitë në Beograd, tha se Serbia asnjëherë dhe në kurrfarë kushtesh nuk do të pajtohet që të votojë për anëtarësimin e Kosovës në OSBE. Sipas tij, Serbia ka të drejtë ta pengojë anëtarësimin, pasi vendimet në OSBE merren me konsensus.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›