E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihanna, nuk jam "vajzë e keqe"

Nga ishujt Barbados, një përzierje shkatërruese ritmesh karaibike dhe rrymës R&B. Robyn Rihanna Fenty lindi në vitin 1988, në distriktin e Shën Michael, në ishullin e Barbadosit, ku bëri një jetë të thjeshtë, në kërkim të konkurseve për talentet e reja dhe këngëve të kënduara mbrëmjeve me miqtë. Jeta e saj ndryshoi gjatë pushimeve të Krishtlindjeve në vitin 2003: producenti Evan Rogers po kalonte pushimet në një vend afër me atë ku jetonte Rihanna dhe një mik i përbashkët e çoi të shkonte të dëgjonte një performancë të këngëtares së re, gjë që e goditi menjëherë. Evan ishte kaq i sigurt se Rihanna do të kishte një të ardhme të ndritur në fushën e muzikës, sa i kërkoi menjëherë të transferohej në Nju Jork, ku me ortakun tij, Carl Sturken, e shndërroi në një prej yjeve më premtues të muzikës. Rihanna u dëgjua nga bosi i shtëpisë diskografike "Def Jam", personalisht që e bëri të firmoste menjëherë një kontratë për gjashtë albume. Në moshën 17-vjeçare nisi edhe karriera e saj drejt muzikës. Sot, ajo është një nga njerëzit e famshëm që gjendet pothuajse çdo ditë në qendër të vëmendjes dhe thashethemeve për shkak të look-ut, koncerteve, prerjes së flokëve, mënyrën e të veshurit në koncerte, pazareve të shfrenuara apo edhe jetës private. Brenda 48 orëve, jeta e saj ecën me shpejtësi marramendëse: nga një talk-show në Londër, në një shfaqje të shkurtër në Marok dhe pastaj sërish kthim në Nju Jork me destinacionin "Madison Square Garden". Në moshën 21-vjeçare, Robyn Rihanna Fenty është tashmë një ikonë dhe ajo e di mirë këtë.

Si i kaloni ditët në vendet ku shkoni për koncerte?

Më pëlqen të bëj shumë "shopping". Firma ime e preferuar është "Gucci", të takoj njerëz të rinj dhe të provoj specialitetet e vendeve ku shkoj. Për shembull, në Itali, më pëlqejnë shumë makaronat, ndërsa në Japoni sushi.

Çfarë blini zakonisht?

Sigurisht që blej veshje. Më pëlqen shumë të blej në Milano. Është parajsa e modës. Sa herë ndodhem në këtë qytet, mundohem të përfitoj sa më shumë. Kam marrë shkas edhe nga linjat e mia të make-up dhe veshjeve. Në të ardhmen, dua të bëhem menaxhere e vetvetes dhe të hyj në botën e biznesit. Të këndosh është bukur, por ka edhe diçka më shumë.

Jeni gjithnjë elegante dhe visheni me shumë shije. Për më tepër pëlqeni edhe tatuazhet...

Më pëlqejnë vërtet shumë tatuazhet. Kam shtuar disa të rinj në trupin tim. Më të vjetrit janë disa yje në shpatullën e djathtë, si domethënie për suksesin arritur dhe një e shkruar me shkronja romake 11/4/1986.

Për çfarë bëhet fjalë?

Është dita e lindjes së Melissa Forde, mikeshës sime më të mirë dhe asistentes personale. Po ashtu, kam bërë tatuazh edhe një frazë në sanskritisht.

Ju e ndryshoni shpesh modelin e flokëve. Si ka mundësi?

Kam dëshirë të ndryshoj dhe gjëja e parë që bën një grua është të ndryshojë modelin e flokëve. Gjëja më e çuditshme që më ka befasuar vërtet ka qenë fakti se shumë vajza duan të më imitojnë. Shkojnë te parukieri dhe kërkojnë një prerje flokësh si e Rihanna-s. Nuk mund ta besoj. Megjithatë, më bëhet qejfi njëkohësisht që jam bërë model për t‘u ndjekur nga të rinjtë.

Sa kujdeseni për imazhin kur dilni në skenë?

Shumë, i zgjedh personalisht veshjet dhe trukun që duhet të bëj, varëset, byzylykët dhe unazat. I kam shumë qejf gjërat e veçanta. Një artist duhet të jetë gjithmonë në formë të përkryer.

E kemi vënë re se këpucët apo çizmet që vishni nuk janë më të ulëta se 14 centimetra...

E vërtetë. Më pëlqejnë shumë takat e larta. Të tregojnë shumë femër. Me atlete nuk dal thuajse kurrë, veçse kur shkoj për të bërë vrap në park.

Në shumë mënyra, ju kanë quajtur edhe "vajzë e keqe"...

Le të themi se dua të jetoj moshën time, të bëj atë që bëjnë bashkëmoshataret. Më lejohet të bëj edhe ndonjë çmenduri të vogël, në fund të fundit jam vetëm 21 vjeç.

Ju streson jeta me ritme kaq të shpejta?

Sigurisht. Jam qenie njerëzore si gjithë të tjerët, pavarësisht se e famshme. Përreth meje ka gjithmonë shumë presion dhe përqendrimi është gjithnjë në maksimum. Ndonjëherë të duhet një vend ku t‘i shfrysh të gjitha inatet dhe mërzitë. Është keq kur nuk e gjen një vend të tillë, sepse kur flet me dikë për problemet e tua, e ndjen më pak peshën e tyre.

Keni qenë gjithnjë në qendër të thashethemeve: që nga lidhja me Chris Brown e deri tek ajo me këngëtarin-producent Jay-Z. Çfarë efekti ju jep?

Jam mësuar, nuk i vë më re asgjëje. Për jetën time private nuk më pëlqen dhe asnjëherë nuk më ka pëlqyer të flas. Për sa i përket Jay-Z mes nesh nuk ka pasur asnjëherë asgjë. Ai më besoi mua si këngëtare dhe unë mundohem t‘ia shpërblej.

Thuhet se jeni lidhur sërish me Chris pas asaj që ju bëri...

Nuk dua dhe nuk mund të flas për këtë. Dua t‘ju them vetëm se Chris më ka kërkuar falje. Besoj se kaq mjafton për të gjithë kureshtarët.

Tani ju kanë parë shumë vërdallë, që frekuentoni jetën e natës, ndoshta ngaqë ndiheni e lirë?

Liria nuk më ka munguar asnjëherë. Nëse do të më mungonte ajo, atëherë kot që jetojmë. Jam një vajzë që përpiqem të jetoj të tashmen dhe të mos mendoj për të kaluarën apo të ardhmen. Ju sugjeroj të bëni kështu si unë, pavarësisht se çfarë thonë të tjerët. Në fund të tunelit, ka gjithmonë dritë. Pas momenteve të vështira, ja tek jam sërish më në formë se kurrë dhe e relaksuar pas pushimeve fantastike në Barbados me miqtë e mi. Në shtator së bashku me Jay-Z dhe Kanye West do të hapim edhe sezonin ri të "Jay leno show".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›