E Shtunë, 31 Tetor 2026

“FSK sipas standardeve të NATO-s”

Autori i Lajmit: red.
Ngritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe aftësimi i saj që të jetë operacionale deri në mesin e 2009-ës, janë sfidat kryesore për FSK-në, thonë udhëheqësit në nivelin politik si dhe ushtarak të kësaj Force. Pas përzgjedhjes së komandantit të Forcës së Sigurisë, pason përzgjedhja e udhëheqjes komanduese të saj si dhe rekrutimi i pjesëtarëve të FSK-së, thonë në Ministrinë e FSK-së. Ministri Fehmi Mujota beson se Forca e Sigurisë do të mund të jetë operacionale deri në mesin e qershorit, ndërkohë që premton përkujdesje institucionale për të gjithë pjesëtarët e TMK-së që nuk i përmbushin kriteret për këtë Forcë. “Suksesi më i madh për vitin 2009 do të jetë nëse do të arrijmë t i përmbushim objektivat tona të parapara për krijimin e Forcës së Sigurisë sipas kritereve dhe standardeve të NATO-s, në një pranim të përgjithshëm nga qytetarët e Kosovës dhe për një punë të vazhdueshme për ta trajtuar secilin pjesëtar të TMK-së që nuk arrin të kalojë në FSK, në mënyrën më të mirë të mundshme në mbrojtje institucionale”, thotë Mujota. Ndërkohë, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, thotë se nëse FSK-ja i kalon me sukses gjashtë muajt e parë të formimit të saj, përfshirë edhe zgjedhjet e udhëheqjes komanduese dhe pjesëtarëve të saj, kjo Forcë do të ishte e aftë dhe e gatshme edhe për operacione jashtë Kosovës, nëse këtë e kërkon NATO-ja. “Varet edhe prej aftësive tona. Besoj se aftësitë nuk mungojnë, sepse jemi në bashkëpunim të ngushtë me ekipet e NATO-s, të cilat kanë ardhur për ngritjen e FSK-së dhe që do të merren me trajnimin dhe pajisjet e saj. Besoj se suksesi nuk do të mungojë dhe jemi të gatshëm që kjo Forcë shumë shpejt të jetë operacionale dhe të jetë e gatshme që të shërbejë edhe jashtë vendit”, thekson Selimi. Sipas planeve të mëhershme, shpërbërja e TMK-së dhe formimi i FSK-së është dashur të ndodhë nga data 10 dhjetor, por kjo nuk ka ndodhur. Ministri Fehmi Mujota beson se këto vonesa nuk do të reflektohen në dinamikën e formimit të FSK-së, duke shpresuar se kjo Forcë, përveç komandantit Sylejman Selimi, shumë shpejt do ta ketë edhe strukturën tjetër komanduese. “Procesi i përzgjedhjes, konfirmoj se ka filluar. Duhet edhe një kohë që të kalojë për t i pasur të gjitha vendimet e nevojshme për zgjedhjen e liderëve kyçë të FSK-së dhe mendoj se këtyre ditëve do ta kemi vendimin për liderët kyçë të FSK-së”, tha Mujota. Forca e Sigurisë, e cila nga kosovarët shihet edhe si bërthama e Ushtrisë së Kosovës, parashihet të ketë 2 mijë e 500 trupa të rregullta dhe 800 rezervë. Kjo Forcë do të pajiset me një armatim të lehtë dhe do të jetë e mbikëqyrur nga NATOja. Ndërkohë që një pjesë e TMK-së që nuk do t i përmbushë kriteret për t u integruar në FSK, parashihet të pensionohet apo të përfshihet në punë tjera institucionale. Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është që asnjë prej pjesëtarëve të tashëm të TMK-së të mos mbetet pa përkujdesje institucionale.

Ivanoviç: “Prania e KFOR-it, jetike”

Sekretari shtetëror serb në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviç ka deklaruar se prania e KFOR-it në Kosovë është jetike për t i shmangur incidentet dhe situatat të ngjashme më ato që ndodhën ditë më parë në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas tij, KFOR-i duhet të ketë prani të dukshme në ato pjesë të Kosovës që paraqiten si vatra potenciale të krizës – pasi kjo, sipas tij, ka ndikim preventiv tek të gjithë ata që posdeojnë armë. Ivanoviç ka thënë se, për momentin, është shumë e rendësishme që të ruhet paqja dhe stabiliteti dhe që populli mos të bie pre e provokimeve. Ndërkaq ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, ka kërkuar të dielën nga KFOR-i, UNMIK-u dhe EULEX-i, që të bëjnë "përpjekje plotësuese për sigurimin e paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, e veçanërisht për ata në veriun e Mitrovicës, të cilët janë më së shumti të rrezikuar". Bogdanoviç në Mitrovicë u takua me përfaqësuesit e katër komunave në veri të Kosovës. Pas këtyre takimeve është thënë se serbët në këtë pjesë të Kosovës do të bashkëpunojnë me misionet ndërkombëtare.
Ky lajm është publikuar: 05/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›