E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Starkingu” ndalon një kuintal drogë për në Greqi

Autori i Lajmit: red.
Afro një kuintal lëndë narkotike e llojit marijuanë u bllokua dje nga policia e Gjirokastrës. Por ndryshe nga operacioni pararendës “Marijuanë me mushkë për në Greqi”, këtë radhë arritën të arrestojnë tre trafikantët e dyshuar. Policia e sektorit antidrogë në Gjirokastër, tha dje se në kuadrin e operacionit të koduar “Starkingu”, ka arrestuar në qytetin e Gjirokastrës, tre persona nga Korça, të cilët po transportonin nga Lazarati në drejtim të Korçës, 98 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë. Policia konfirmoi se të arrestuarit janë Erion Latka, 25 vjeç, Gerti Miho, 30 vjeç dhe Elton Hodollari, 37 vjeç, që të tre lindur dhe banues në qytetin e Korçës. “Tre të dyshuarit janë ndaluar teksa po udhëtonin me automjetin tip furgon, me targa KO 7149 A”, - deklaroi zyrtarisht, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Nga kontrolli i imët që iu bë mjetit, rezultoi se trafikantët kishin salduar me fletë llamarine në brendësi të bagazhit të furgonit, një dhomë të fshehtë. Brenda saj ata kishin vendosur në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban, me peshë një kilogramë secila, 98 kilogramë lëndë narkotike. Nga hetimi doli se tre të rinjtë nga qyteti i Korçës kishin krijuar lidhje me trafikantë të tjerë në Lazarat. Atje, ata kishin siguruar pa vështirësi, ngarkesën afro njëkuintalëshe me marijuanë dhe ashtu si edhe shumë trafikantë të tjerë që gëlojnë nga Lazarati dhe anasjelltas, e kishin transportuar atë me furgon, në përpjekje për ta kaluar për në Greqi. Për të kaluar kufirin shqiptaro-grek, tre korçaret e narkotrafikut kishin menduar se do të funksiononte më mirë nëse drogën do ta çonin nga zona e Kapshticës pranë së cilës jetojnë sesa nga Kakavija. Por u ka dështuar plani, duke rënë në sitën e antidrogës gjirokastrite.
Ky lajm është publikuar: 05/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›