E Diel, 1 Nëntor 2026

Zenun Pajaziti: “Kemi kapacitetet të mjaftueshme për të mbajtur nën kontroll situatën”

Autori i Lajmit: red.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti, tha se qarqe të caktuara vazhdimisht po përpiqen të krijojnë imazhe dhune në veriun e Kosovës. Ministri tha se institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare do të menaxhojnë situatën në veri të Kosovës duke mos lejuar krijimin e imazheve të këqija për Kosovën. Pajaziti, tha se kapacitetet e policisë së Kosovës dhe të misionit evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, janë të mjaftueshme për të menaxhuar me situatën në veri. Por ai shtoi se autoritetet janë të kujdesshme që të mos shkaktojnë reagime të popullatës vendase serbe, që sipas tij, jeton në një mjedis më të politizuar. Lidhur me situatën në Mitrovicë ai tha se: “Ka patur këto dy ditët e fundit tendenca për të krijuar incidente në veriun e Mitrovicës. Siç e dini atje kemi patur telashe gjatë gjithë vitit për të kontrolluar, në njëfarë mënyre, situatën në pjesën ku banojnë kryesisht serbët lokalë. Kemi patur një turmë njerëzish, të komunitetit serbë, që kanë shfaqur dhunë në lagjet ku jetojnë shqiptarët. Policia e Kosovës ka patur informacione të menjëhershme dhe ne kemi qenë së bashku me kryetarin e komunës së Mitrovicës, me policinë e Kosovës, të EULEX-it dhe me trupat e KFOR-it, të interesuar dhe shumë aktiv që ta menaxhojmë këtë situatë. Gjendja e sigurisë është e qetë, por ka shqetësime të banorëve që jetojnë atje për shkak se festat e fundvitit mund të jenë me incidente. Jemi të sigurt se kapacitetet tona, edhe të EULEX-it dhe të KFOR-it do të jenë të mjaftueshme për të menaxhuar me situatën dhe për të pasur një situatë të qetë për të gjithë qytetarët”.

Zoti ministër, ju i trembeni se do të ketë përshkallzime edhe në ditët në vijim. Në fakt ku i shihni shkaqet e trazirave të tilla?

Nuk dua që të spekuloj për ata që i nxisin këto akte, por dua të them se askush nuk do të mbetet i pandëshkuar, e kam fjalën këtu për ata që i shfrytëzojnë këto situata festash pë rtë krijuar incidente. Unë nuk po paragjykoj se do të ketë incidente. Dua t i siguroj qytetarët në veri që të rrinë të qetë sepse ne i kemi përforcuar masat e sigurisë, pra institucionet tona vendore, por po ashtu edhe EULEX dhe KFOR-i. Gjatë ditës së sotme kemi patur kontakte të vazhdueshme edhe me institucionet lokale në Mitrovicë. Qytetarët duhet të besojnë në institucione dhe në përkushtimin e institucioneve tona e atyre ndërkombëtare. Nuk po paragjykoj se mund të ketë incidente por zakonisht në situata festash mund të ketë edhe qytetarë që janë nën ndikimin e alkoolit ose të atillë që i shfrytëzojnë situatat e këtilla qofë për të bërë aktivitete të kontrabandës ose për të nxitur incidente.

Por institucionet e Kosovës, qeveria dhe ju si ministër i brendshëm nuk e kontrolloni veriun. Si mendoni ta qetësoni dhe riktheni normalitetin në këtë pjesë të Kosovës?

Ju lutem, ne kemi struktura të bollshme të policisë dhe të përgatitura mirë për intervenim në çdo situatë të mundshme të krijuar. Por ne po vazhdojmë të jemi të kujdesshëm për t u përfshirë në pjesën ku ka banorë serbë për të mos krijuar reagime të tjera. Ju e dini atje është situata më e politizuar dhe ne kemi një mbështetje të EULEX-it, një mekanizmi tanimë të konsoliduar mirë i cili po kujdeset poashtu në atë pjesë.

Zoti ministër por në veri ka patur rrezikim të jetës së qytetarëve dhe të pronës së tyre…

E para, janë të tjerë ata që vazhdimisht po përpiqen të krijojnë imazhe dhune dhe imazhe të tjera në Kosovë. Ne nuk jemi të interesuar. Secilën herë e më shumë edhe qytetarët serbë që jetojnë atje nuk janë të interesuar të jenë të rrethuar nga kriminelët e ndryshëm që nxisin dhunën dhe që shfrytëzojnë situata të tilla për të krijuar mjedise të kontrabandës dhe të përfitimeve të ndryshme. Ne do të menaxhojmë me kujdesin më të madh, pa iu lejuar këtyre strukturave, këtyre qarqeve që të krijojnë imazhe të tjera. Pra, do ta menaxhojmë ashtu si deri më tani, por duke patur rezultate të tjera në funksionalizimin e tyë gjitha institucioneve të sigurisë në atë pjesë.
Ky lajm është publikuar: 05/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›